Zbresin temperaturat nga 18 °C në vlera negative, reshje të dendura bore në fundjavë

- Gazeta e Prizrenit

Zbresin temperaturat nga 18 °C në vlera negative, reshje të dendura bore në fundjavë

Temperatura të pazakonta për këtë periudhë kohore kanë përfshirë pjesë të Rrafshit të Dukagjinit, duke arritur deri në 18° C të mërkurën dhe 17° C gjatë ditës së sotme. Kjo situatë është rezultat i masave të ngrohta ajrore dhe fuqizimit të erërave nga jugperëndimi.

Të premten, gjatë pasdites dhe mbrëmjes, masat e ngrohta do të zëvendësohen nga ajri i ftohtë dhe i lagësht. Fillimisht, priten reshje të pakta lokale shiu, të cilat më vonë pritet të shndërrohen në reshje të lehta shqote dhe bore. Gjithashtu, pritet të ketë erëra mjaft të forta nga veriu, me shpejtësi deri në 50 km/h.

E shtuna do të vazhdojë nën ndikimin e këtyre kushteve atmosferike, duke sjellë kohë pas kohe reshje lokale shiu, shqote dhe bore.

Të dielën, një ciklon i fuqishëm nga Italia do të lëvizë drejt Detit Jon, duke shkaktuar reshje të dendura shiu dhe bore në rajon. Në vendin tonë, reshjet pritet të jenë në formë bore, duke krijuar shtresa të qëndrueshme për shkak të temperaturave negative.

Reshjet do të vazhdojnë edhe të hënën, duke mbajtur temperaturat nën zero.

Intensiteti i borës pritet të jetë më i lartë në pjesët jugore për shkak që ndodhen më afër qendrës ciklonike, njofton MeteoKosova percjell Gazeta e Prizrenit.



Read it all at Gazeta e Prizrenit