Daja para duelit për të ruajtur kreun: Nuk ka vlerë nëse nuk vazhdojmë kështu

- Bota Sot

Daja para duelit për të ruajtur kreun: Nuk ka vlerë nëse nuk vazhdojmë kështu

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, është shfaqur sot para mediave për konferencë ne parë para startit të pjesës së dytë të sezonit, pasi pauzës së kampionatit. Tekniku i kryesuesve të Superiores, nga njëra anë vlerësoi faktin se skuadra kishte bërë mirë në 2024, por gjithashtu se duhej të përqëndrohej për të bërë të njëjtën gjë edhe në 2025.

“Thuajse nuk kemi pushuar këtë periudhë, me përjashtim të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, me nga 2-3 ditë. Vetëm ndeshjet kanë qenë mangët dhe nuk kemi ritmin e tyre.

Kemi punuar edhe në merkato, kemi parë disa lojtarë dhe presidenti ka plotësuar të gjitha kushtet, por kemi afruar Jonuzin, i cili është një mesfushor që e njeh shumë mirë kampionatin shqiptar. Jemi në tratativa, por jo për shumë blerje, duam lojtarë për ato vende, ku kemi nevojë për dublim të roleve. Mund të ketë edhe ndonjë lojtar të perspektivës, sepse duhet të alternojmë grup-moshat në ekip. Disa lojtarë janë në fokusin e merkatos në dalje dhe do të shohim në dinamikë çfarë do të ndodhë deri më 31 janar.

Gjithë kontingjenti është në dispozicion për ndeshjen me Bylisin, por jo të gjithë janë të gatshëm. Mandela vjen nga një dëmtim, nuk ka qenë me grupin për disa ditë, pasi ka shkuar në vendlindje për shkak dokumentacioni.

Për Bylisin nuk nisemi nga gjendja e tij në tabelën e klasifikimit. Nëse u referohemi tri ndeshjeve të fundit, ata kanë një fitore dhe dy barazime, kanë bërë mirë. Kemi dhe ndryshimin e rregullores, që të them të drejtën është pak e habitshme që në mes të garës të ndryshojë rregullorja e lojtarëve të huaj që marrin pjesë në ndeshje. Ndryshon shumë gjëra në klube të caktuara.

Na pret një ndeshje e vështirë, Bylisi e ka treguar edhe në dy ndeshjet e tjera. Jo vetëm në fushën e vet shprehet mirë, por edhe në transfertë. Jemi gati dhe shpresojmë të vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive, duke e marrë seriozisht Ballshin.

Nuk besoj se ndjehet presioni, sepse jemi koshientë që nuk e kemi mbajtur vendin e parë gjatë. Katërshja e parë ka bërë rotacion, na del për detyrë të vazhdojmë ecurinë që kishim. Kemi bërë një gjysmë sezoni goxha të mirë, por nuk ka vlerë, nëse nuk vazhdojmë kështu.

Kupa? Futja e saj është e mirë, ndoshta do të ishte më mirë të fillonte viti me Kupën dhe të vazhdonte me kampionatin. Ka të mirën që në këtë trejavësh me ndeshje të munguara futesh më mirë në ritëm”, tha ndër të tjera Daja.



Read it all at Bota Sot