Siguria në Republikën e Kosovës para zgjedhjeve të 9 shkurtit është vënë në qendër të vëmendjes së Aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO.
Vet, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka thënë se është në koordinim të ngushtë me institucionet në Kosovë dhe Serbi që të parandalohet destabiliteti para zgjedhjeve parlamentare në vend.
“Gjithsesi, ne jemi në kontakt me Kosovën, por edhe me Serbinë, për të siguruar që zgjedhjet që do të zhvillohen më vonë në Kosovë në shkurt të mos çojnë deri te destabilizimi. Kjo është kyç. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor ne vërtetë duhet të mbetemi të angazhuar për së afërmi sepse është një fqinjësi kryesore për ne”, ka thënë ai.
Edhe misioni i NATO-së, KFOR në Kosovë, ka bërë të ditur se pas sulmit në kanalin kryesor në Iber-Lepenc kanë rritur numrin e ushtarakëve në 4300.
“Pas sulmit të 29 nëntorit në kanalin Ibër-Lepenc, situata e sigurisë në veri të Kosovës është e qetë, por mbetet e brishtë, për shkak të disa faktorëve, duke përfshirë çështjet e pazgjidhura në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe dezinformimin e shfrenuar. Sulmi i lartpërmendur tregoi cenueshmërinë e infrastrukturës kritike lokale. KFOR-i së bashku me Policinë e Kosovës janë duke monitoruar dhe patrulluar nga afër zonat e cenueshme për të shmangur çdo incident të mëtejshëm të këtij lloji në të ardhmen”.
Gjatë së martës EULEX në njoftimin e saj ka bërë të ditur se ditëve në vijim pritet të përforcohet Njësia Policore e pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.
Si reagues i dytë, në njoftim bëhet e ditur se do të rriten patrullimet për të krijuar më shumë sigurinë në terren./GS