Përleshja mes lojtarëve të Benficës e Barçës, Raphinha zbulon krejt çka ngjau

- Bota Sot

Përleshja mes lojtarëve të Benficës e Barçës, Raphinha zbulon krejt çka ngjau

Barcelona e regjistroi mbrëmë një fitore të çmendur duke e mundur Benfican me përmbysje me rezultat 5:4, në një ndeshje që do të mbahet mend gjatë.

Por, gjakrat u nxehën me të përfunduar loja, me lojtarët e ekipit portugez që ishin të nervozuar, gjë që bëri që situata të eskalonte rrugës për në dhomat e zhveshjes.

Mediat raportuan se kishte përleshje mes dy ekipeve pas ndeshjes së vlefshme për xhiron e shtatë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.

E i përfshirë në këtë rrahje ishte edhe braziliani Raphinha, i cili ishte vendimtar në fitoren domethënëse të gjigantit katalunas.

Madje, braziliani thuhet të ketë qenë në qendër të incidentit, pas së cilit u desh të intervenonte sigurimi për ta bllokuar qasjen për tek dhoma e zhveshjes së ekipit katalunas.

“Derisa isha duke u larguar nga fusha nisën të më fyenin.

Natyrisht, unë ua ktheva në të njëjtën monedhë, ndonëse jam i vetëdijshëm se s’duhet ta bëja këtë. Unë i respektoj të gjithë nëse edhe ata më respektojnë, por nuk e mbyll gojën nëse më fyejnë njerëzit.

Situata u bë e papranueshme me lojtarët kundërshtarë, të cilët po më fyenin pa u ndalur.

Edhe unë e kam një kufi, nuk lejoj që gjërat ta kalojnë limitin. Ky eskalim është normal pas një përfundimi të tillë dramatik të lojës”, deklaroi Raphinha pas incidentit.



Read it all at Bota Sot