Skuadra e Besiktasit barazoi 1:1 ndaj Antalayasporit në ndeshjen e vlefshme për Superligën e Turqisë.
Në këtë takim u paraqit edhe Milot Rashica, i cili në tribuna kishte disa mysafirë special, shkruan Indeksonline
Bëhet fjalë për ekipin e Vushtrrisë, të cilët gjenden në Turqi në fazën përgatitore për fazën pranverore në Ligën e Parë të futbollit të Kosovës.
“Gjatë përgatitjeve parasezonale në Turqi, ekipi ynë FC Vushtrria pati kënaqësinë dhe privilegjin të vizitojë ish-lojtarin tonë, Milot Rashica, gjatë ndeshjes së tij mes Antalyaspor dhe Besiktas.
Ishte një moment krenarie për klubin tonë të shohim Milotin duke përfaqësuar denjësisht talentin shqiptar në futbollin ndërkombëtar.
Ai mbetet gjithmonë një pjesë e rëndësishme e historisë së FC Vushtrrisë dhe një inspirim për brezat e rinj të futbollistëve. Faleminderit Milot, për mikpritjen dhe për përfaqësimin e shkëlqyer të qytetit dhe klubit tonë në arenën ndërkombëtare”, shkruhet në postimin e klubit Vushtrria
Kujtojmë që Milot Rashica e kishte fituar Superligën e Kosovës vite më parë me skuadrën e vendlindjes së tij, Vushtrrinë.