Nainggolan, nata e parë në burg dhe tri orë marrje në pyetje nga hetuesit

- Bota Sot

Nainggolan, nata e parë në burg dhe tri orë marrje në pyetje nga hetuesit

Hetimi për trafikun e kokainës, që përfshin edhe Radja Nainggolan, ka pasur një jehonë të madhe në Belgjikë. Janë arrestuar gjithsej 15 persona, janë sekuestruar 2.7 kg kokainë (dhe 370 mijë euro), dy jelekë antiplumb dhe shumë armë, përfshirë tri armë zjarri.

Ish-lojtari i Romës dhe Interit, aktualisht te Lokeren-Temse, është marrë në pyetje të hënën për tri orë, pas arrestimit, dhe ka kaluar natën e parë në burg. Së shpejti do të paraqitet para gjykatës, me shpresën për t’u kthyer në shtëpi, siç ka deklaruar avokati i tij, Omar Souidi.

“Radja ka qenë shumë i goditur nga kjo ngjarje, – ka thënë avokati i mesfushorit. – I janë bërë shumë pyetje dhe ai ka bashkëpunuar, duke iu përgjigjur të gjithave. Natyrisht, i mbrojturi prej meje nuk është i dyshuari kryesor, ndaj për të vlejnë të gjitha parimet e pafajësisë”.

Prokuroria e Brukselit ka vënë në fokus ardhjen e drogës nga Amerika Latine, e cila u shpërnda më pas përmes portit të Antverpit. Një gazetë lokale e lidh Nainggolan me pastrimin e parave nga shitja e drogës.

Gjithashtu, një nga makinat e sekuestruara, një makinë elektrike me targa të personalizuara, i përkiste 36-vjeçarit. Gjatë bastisjeve, ish-lojtari i Romës dhe Interit nuk ishte në shtëpi. Vetëm një mikeshë e tij ishte aty dhe e ka njoftuar menjëherë për prani të forcave të rendit.

Nainggolan, në fakt, kishte kaluar natën tek e dashura e tij dhe kështu ishte jashtë shtëpisë në lagjen “Eilandje”, periferia e Antverpit. Shtëpia në fjalë, e vlerësuar rreth 2 milionë euro, është aktualisht në shitje.

Po ashtu, mediat theksojnë se një partner biznesi i Nainggolan, Ibrahim Ahmadoun, ishte dënuar në vitin 2016 në SHBA për trafik droge në një çështje të lidhur me organizatën terroriste Hezbollah.



Read it all at Bota Sot