Barcelona është e vendosur të thyejë një rekord që e mban prej më shumë se 10 vitesh skuadra e drejtuar asokohe nga Pep Guardiola.Me fitoren e thellë 7-1 kundër Valencias, Barcelona arriti 101 gola në të gjitha kompeticionet këtë sezon, duke treguar se ata janë aktualisht skuadra më produktive në Evropë.
Ata pasohen nga PSV-ja, me 97; Sportingu i Lisbonës, me 89; dhe Reali i Madridit me Çelsin, me 84 gola. Shifra e afron atë me rekordin më të mirë të një klubi në fund të një sezoni në shekullin e XXI. Rekordi daton në sezonin 2011- 2012, kur blaugranat arritën të shënonin 190 gola, me një mesatare prej 2.9 golash për ndeshje.
Mesi ishte ai që udhëhoqi Barcelonën në atë sezon me 73 gola, teksa klubi arriti të fitonte gjithsej katër tituj: Copa del Rey, Superkupa e Spanjës, Superkupa Evropiane dhe Botërori i Klubeve. Ajo skuadër, e drejtuar në stol nga Pep Guardiola, arriti në kuotën e njëqind golave pas 31 ndeshjesh. Flik e ka arritur këtë shifër në 32 ndeshje. Prandaj, për momentin ai ka një normë shënimi të ngjashme me atë të rekordit absolut. Barcelona ka shënuar 59 gola në La Liga, numri më i lartë në pesë kampionatet kryesore evropiane. Ajo është edhe skuadra me më shumë gola të shënuar në Champions League, me 21 gola në 7 takime.
Ato 190 gola për Barçën në sezonin 2011-2012 pasohen nga 181 golat e Salcburgut në sezonin 2013-14. Skuadra austriake ka nderin të ketë mesataren më të mirë të shënimit, me 3.2 gola për ndeshje. Podiumi është mbyllur nga Ajaksi në sezonin 2018-2019, me 179 gola (3 për ndeshje). Deri në 10 më të mirët, emri i Barcelonës përsëritet tri herë, emri i Realit të Madridit dhe nga njëherë Mançester Siti dhe PSG-ja. Skuadra angleze e viteve 2018-2019 është në vendin e katërt me 176 gola dhe mesatarisht 2.8 për ndeshje, ndërsa skuadra franceze e sezonit 2017-2018 është e nënta me 171 gola dhe një mesatare prej 3 rrjetash për ndeshje.
REKORDI I LA LIGËS, NË HORIZONT – Një tjetër rekord që mund të thyejë kjo Barcelonë është numri më i madh i golave në kampionatin vendas. Aktualisht nderi i takon Realit të Madridit të Murinjos në sezonin 2011- 2012, i cili arriti në 121 gola në La Liga. Ai kishte 71 pas 21 ndeshjesh, 12 më shumë se Barcelona aktuale. Edhe vendi i dytë i takon Realit, këtë herë atij të Ançelotit në sezonin 2014-2015 me 118 gola. Shifrat e treta më të mira janë për Barcelonën: 116 gola në sezonin 2016-2017, i fundit i Luis Enrikes dhe Nejmarit. Ajo skuadër kishte 55 gola pas 21 ndeshjesh, katër më pak se skuadra aktuale.
Prandaj, Barça e Flikut ka sfidën për t’u bërë klubi që shënon më shumë se kushdo në Europë në një sezon të vetëm, duke kaluar atë të Guardiolës, me meritën që gjermani nuk ka Leo Mesin në radhët e tij.