Mario Mitaj po kalonte një sezon fantastik me Al Ittihadin në Arabinë Saudite.
Kjo skuadër po mbante vendin e parë për titullin kampion dhe njëkohësisht kishte eliminuar nga Kupa edhe Al Hilalin, që ishte favorite si skuadër për të kaluar më tej.
Nga ana tjetër po liheshin pas vetes shumë yje të futbollit botëror që kanë shkuar në Arabinë Saudite, si Neymar, Cristiano Ronaldo dhe yje të tjerë.
Ndërkohë Mitaj kishte arritur edhe një çmenduri tjetër. Në 10 ndeshjet e fundit, nota më e vogël e lojtarit shqiptar, pra ndeshja e tij më e dobët vlerësohej me notën 7 nga Sofascore. Një vazhdimësi brilante që nuk e ka asnjë lojtar tjetër i Shqipërisë në ekipet e tij respektive. Por një lajm i papritur erdhi nga Arabia Saudite në ndeshjen e djeshme, teksa në ndeshjen Dalmac-Al Ittihad, Mario Mitaj nuk shfaqej as në fushë dhe as në stol.
Në fillim u mendua se trajneri Laurent Blanc, e kishte lënë Mitajn pushim pasi i kishte luajtur të gjitha ndeshjet si titullar së fundmi. Madje më e çuditshmja ishte se një ditë para ndeshjes me Damac, Blanc u shpreh: “Jemi të mrekulluar të gjithë me Mario Mitajn, ajo që ka treguar ai në fushë dhe në stërvitje, është fantastike. Një surprizë e bukur”.
Por në këtë ndeshje Blanc kishte zgjedhur që ta përjashtonte Mitajn për arsye teknike. Në Arabinë Saudite nuk lejohet që një ekip të grumbullojë për një ndeshje më shumë se 8 lojtarë të huaj. Në këtë takim ishin rikthyer të gjithë lojtarët nga dëmtimet dhe Blanc zgjodhi që të përjashtonte nga skuadra Mitajn.
Pra mbrojtësi shqiptar vuajti faktin e të qënit nga Shqipëria, por jo vetëm në këtë pikë. Blanc zgjodhi që të mbante Benzema, Fabinho, Kante, Diaby, Rajkovic, Bergëinj, Aouar dhe Pereira. Në fundin e ndeshjes, Al Ittihad mori humbjen e parë pas 15 ndeshjesh, humbi 2-1 dhe la vendin e parë. I menjëhershëm ishte reagimi i tifozëve të Al Ittihad në rrjetet sociale.
Ata i kanë dalë në mbrojtje Mitajt dhe kanë kërkuar shkarkimin e trajnerit francez Blanc. Madje shumë prej tyre shpreheshin se Al Ittihad duhet të luajë me Mitajn në fushë dhe më pas të ndërtohet skema për 10 të tjerët. Kjo tregon saktësisht se me performancat e tij, shqiptari i ka rrëmbyer me të drejtë zemrën tifozëve.
Madje edhe në momentin që Mitaj kaloi te Al Ittihadi, debutimi i tij nuk po vinte dhe u vonua shumë me ekipin e parë. E gjitha kjo lidhej me numrin e lojtarëve të huaj dhe nëse ky mbrojtës sot mban vendin e titullarit, është për shkak të fatit që i buzëqeshi dhe cilësive të tij të mrekullueshme, pasi në momentin kur është marrë nga ekipi, është projektuar për të qenë rezervë ose në tribunë.
Tifozët e Al Ittihad kanë akuzuar Blanc se po vazhdon të grumbullojë Diaby i cili është totalisht jashtë forme dhe ende i dëmtuar dhe po heq padrejtësisht Mitajn. Diaby është francez, ashtu si shtetësia e Blanc apo edhe e Benzemas.
Një tjetër pikë kjo ku Mitaj vuan faktin e të qenit nga Shqipëria. Nuk do të ishte çudi që mbrapa kësaj të fshihej edhe Benzema, i cili te Al Ittihad ashtu si edhe Ronaldo te Al Nassr, nuk janë lojtarë të thjeshtë, por vendosin formacionin dhe mund të heqin edhe trajnerin nga ekipi.
Pak kohë më parë ka qarkulluar një video e cila është bërë virale teksa Benzema shkon në anën tjetër, ndërsa shokët e ekipit shkuan për të festuar golin e Mitajt. Ndërkohë pas ndeshjes së djeshme, Blanc i vendosur në presion nga gazetarët për përjashtimin dhe heqjen e papritur të Mitajn nga ekipi, zgjodhi që të gënjente: “Ky turne ka rregulla dhe Mitaj kishte një dëmtim, prandaj nuk ishte sot”.
Mbetet të shihet nëse shqiptari do të rikthehet në ndeshjen tjetër, por nëse Benzema fshihet pas kësaj, Mitaj ndodhet në telashe serioze.