Arsenali duket se ka marrë një vendim përfundimtar sa i përket merkatos së janarit, ku Gunners e kanë vendosur si prioritet absolut përforcimin e repartit të sulmit.
Brenda pak ditësh, skuadra e Mikel Artetës ka humbur për shkak të dëmtimeve të rënda sulmuesit Bukayo Saka dhe Gabriel Jesus (në rastin e brazilianit, sezoni tashmë ka përfunduar).
Për këtë arsye, klubi londinez po përgatit një ofertë për sulmuesin e Bayernit, Mathys Tel, përpara se të mbyllet dritarja e transferimeve në janar
Arteta e admiron prej kohësh Tel dhe, megjithëse fillimisht ai nuk ishte një objektiv për janarin, rrethanat kanë ndryshuar, duke e bërë francezin një opsion të arsyeshëm për ‘Gunners’.
Deri më tani nuk është paraqitur ende një ofertë zyrtare, por media angleze është e bindur se kjo do të ndodhë së shpejti.
Tel, i cili nuk ka mundur të gjejë hapësira përpara Harry Kane te Bayerni, ka shprehur gatishmërinë e tij për tu larguar përkohësisht nga klubi.
Një huazim mund të jetë një zgjidhje e favorshme për të gjitha palët, pasi Arsenali ka nevojë të përforcojë repartin ofensiv, por dëshiron ta shtyjë investimin e madh për sulmuesin deri në verën e ardhshme, kur pritet një treg i lëvizshëm për qendërsulmuesit në Evropë, me Viktor Gyokeres ndër të parët që mund të transferohet.
Tel ka regjistruar 12 paraqitje këtë sezon me Bayernin, por ende nuk ka arritur të shënojë asnjë gol.