Zëvendëspresidenti Havier Zaneti është krenar për ecurinë e skuadrës së tij. Argjentinasi thotë se ekipi duhej patjetër që ta mbyllte në 8 vendet e para në fazën e Ligës.
“Jemi një grup i madh dhe i jashtëzakonshëm si brenda ashtu edhe jashtë fushës së lojës. Inzagi ka sjellë mentalitetin e tij dhe idetë e tij. Grupi është i bashkuar dhe dëshirojnë shumë që të bëjnë mirë.
Unë mendoj se Interi është kompetitiv prej 4-5 vitesh dhe duam që të vazhdojmë të jemi. Ndihemi mirë dhe duhet që të renditeshim patjetër mes 8 më ta mirave.
Fakti që kam veshur këtë fanellë për mua ka qenë shumë e rëndësishme. Kam qenë kapiten dhe kam fituar Champions-in dhe shumë trofe të tjerë. Mendoj se janë momentet më të bukura për një lojtar”, tha fillimisht Zaneti.
ÇALHANOGLU- “Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm dhe të gjithë i dimë vlerat që ka. Kundër Monakos nuk luajti për shkak të dëmtimit, por është duke u rikuperuar mirë. Është një lojtar që mund të bëjë diferencën. E presim sepse për ne është jetik”.
MERKATO- “Është duke u folur për shumë tema të ndryshme, por sinqerisht në këto momente Interi është i përqendruar te ndeshja e së dielës në kampionat. Është derbi dhe sigurisht që duhet të jemi të fokusuar aty. Pastaj nëse do të kemi ndonjë mundësi për të ndërhyrë sigurisht që mund ta bëjmë. Por kjo skuadër është e kompletuar dhe nuk ka nevojë për afrime në merkato”.