Ecuria në janar, Egnatia në gjurmët e ekipit të vjetshëm

- Bota Sot

Ecuria në janar, Egnatia në gjurmët e ekipit të vjetshëm

Egnatia duket në rrugën e duhur për të mbrojtur titullin kampion. Në fakt, ky është objektivi i vendosur nga klubi që në fillim të edicionit dhe është përforcuar edhe më shumë gjatë muajit janar pas merkatos së bërë.

Prej dy javësh rrogozhinasit kanë marrë kryesimin dhe me performancën që po bëjnë, i kanë të gjitha mundësitë që ta ruajnë këtë pozicion deri në fund. Gjithsesi, për momentin në kampin rrogozhinas janë duke ulur euforinë, për vetë faktin se ka ende kampionat dhe mjafton një hap fals për ta humbur vendin e parë. Por me atë që ka treguar Egnatia në muajin janar të këtij viti, duket se është në perfeksion.

KRAHASIMI – Do të kalojnë ndoshta dekada dhe gjithnjë Egnatia e sezonit të kaluar,ku dominoi në futbollin shqiptar dhe fitoi gjithçka të mundshme, do të kujtohet. Fillimisht do të bëhen krahasime me këtë sezon, ku rrogozhinasit kanë për detyrë që së paku t’i afrohen. “Panorama Sport” ka bërë një krahasim të muajit janar të këtij sezoni me atë të vitit të kaluar. Praktikisht, duket se ka qenë identike. Thuhet kështu, pasi në janar të vitit të kaluar rrogozhinasit i fituan të katërta ndeshjet, ndërsa në këtë sezon kanë luajtur pesë takime dhe i kanë fituar po të gjitha. Me pak fjalë, 2025-a ka nisur si 2024-a dhe mbetet për t’u parë nëse edhe ecuria e këtij viti do të jetë si i kaluari, në mënyrë që rrogozhinasit të përsërisin të njëjtin sukses. Sa i përket dy viteve të mëparshme, ku Egnatia luante për mbijetesë, diferencat janë të mëdha.

Më konkretisht në 2023 kanë luajtur pesë ndeshje në muajin janar, ku kanë fituar vetëm një, barazuar tre dhe humbur gjithashtu një, me një bilanc golash 5-5. Në janar 2022, kur edhe u ngjitën në Superiore, në katër ndeshje kanë siguruar vetëm tre barazime dhe një humbje me një bilanc golash 3-6. Pra, bie në sy që në muajin janar ka një rritje në performancë nga viti në vit dhe në fund ka rezultuar një tregues thelbësor edhe për arritjen e objektivave. Praktikisht, kur kishte bilanc negativ luftonte për mbijetesë, kur i fituan të gjitha ndeshjet, në fund morën edhe titullin. Mbetet për t’u parë nëse edhe 2025 do të ketë të njëjtin përfundim si ai i sezonit të kaluar. E rëndësishme është që janari ka nisur në të njëjtën mënyrë. Pritet që edhe muajt e ardhshëm të jenë po kaq të suksesshëm ose të paktën në Rrogozhinë e shpresojnë shumë.



Read it all at Bota Sot