Kupa si treni i fundit

- Bota Sot

Kupa si treni i fundit

Elbasani do të hidhet “all-in” në Kupë dhe për këtë arsye është duke vijuar maksimalisht përgatitjet në kuadër të ndeshjes që do të ketë nesër me Vllazninë në “Elbasan Arena”.Arritja e “Final 4” në kampionat po bëhet gjithnjë e më e vështirë, edhe pse matematika ua lejon që të besojnë dhe shpresojnë deri në fund.

Mirëpo, rezultatet e javëve të fundit, ku nga nëntë pikë kanë marrë vetëm një, kanë bërë që të largohen disi nga skuadrat e kreut dhe tanimë vetëm një mrekulli mund të bëjë që të marrin të paktën vendin e katërt.

Nga ana tjetër, ndodhen në një zonë sigurie sa i përket mbijetesës, edhe pse rreziku është gjithnjë evident për aq kohë sa matematikisht nuk kanë siguruar asgjë.

Ndaj, ekipi i drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç atë që do të ketë primare këtej e tutje, do të jetë pikërisht Kupa. Ky kompeticion është mundësia më e mirë për të shkuar te një trofe dhe për më tepër të sigurojnë një vend për në Kupat e Europës.

ARMA PLUS – Me afrimet e bëra në ditët e fundit të merkatos, por edhe ato më herët, duket se më në fund Gvozdenoviç ka në përbërje një grup lojtarësh që të luajë ashtu siç ai dëshiron. Ajo që ka më shumë rëndësi është fakti se edhe pse me pak ditë stërvitje, lojtarët janë të gatshëm për të luajtur, çka u pa edhe në sfidën me Tiranën, ku u aktivizuan si Zhoel, ashtu edhe Loukili, ndonëse pak minuta, sa për t’u ambientuar me pjesën tjetër të grupit. Edhe në sfidën me shkodranët shihen si një armë më shumë, duke shtuar këtu Olberkis në mbrojtje dhe Ibrahim në mesin e fushës, që janë afruar më herët në skuadër. Ky “poker” afrimesh pritet të jetë arma plus e elbasanasve për dopio-sfidën me shkodranët, ku do të diskutojnë një biletë për në raundin tjetër të Kupës. Ndeshja e parë në shtëpi shihet si tepër e rëndësishme, ndaj verdheblutë duan që të mos bëjnë hap fals.

DËMTIMET – Mungesa më e madhe është ajo e sulmuesit Arsen Lleshi, i cili ishte edhe njeriu i momentit për Elbasanin. Mësohet se 25-vjeçari do të qëndrojë edhe disa ditë në “pit-stop” për t’iu bashkuar më pas edhe ekipit në stërvitje. Të paktën, në klub shpresojnë që ta kenë gati në ndeshjen e kthimit në Shkodër pas dy javësh.

Në kahun tjetër do të mungojnë për arsye dëmtimi edhe sulmuesi Amarildo Gjoni, si dhe mbrojtësi Esin Hakaj. Pjesa tjetër duket e gatshme, por mbetet për t’u parë nëse Gvozdenoviç do të bëjë ndonjë ndryshim në skuadër ose jo, pasi edhe ditët për t’u përgatitur për këtë ndeshje kanë qenë të pakta.



Read it all at Bota Sot