Duhej një shkundje dhe ajo erdhi nga Simone Inzagi. Sepse në mbrëmjen e së hënës, kur Interi fitoi ndaj Fiorentinës, trajneri i Interit qëndroi aty përpara pankinës si gjithmonë.
Dukej e vështirë të ndaje trajnerin nga lojtarët. Të tërbuar ishin Lautaro, Barela dhe Açerbi, të inspiruar nga Simone Inzagi, që heshti protestat e Fiorentinës dhe ftoi tifozët që të rrisnin decibelin në momentin më delikat të ndeshjeve.
Festoi si i çmendur përpara fytyrës së kundërshtarëve, pa harruar një debat me Pavarin gjatë ndeshjes pas një gabimi të tepërt të francezit. Ishte një adrenalinë që ndihej kudo.
Simone dhe Interi ishin një trup i vetëm, ka luajtur dhe ka fituar me nervat dhe në fund ishte ky ndryshimi që duhej për ambientin zikaltër pas disfatës në Firence. Përpara sesa të organizohej dhe të dominonte ndeshjen, ky Inter di shumë mirë që të menaxhojë shpirtrat e nxehur, ashtu si pak skuadra janë të afta ta bëjnë. Ishte një nga sekretet e grupit që një vit më parë solli titullin e 20-të të historisë dhe Inzagi preku pulsin e duhur në momentin e duhur.
NDRYSHIM- Në ndryshimin e situatave në momentet delikate, trajneri zikaltër nuk ka rivalë. Interi i tij gjithmonë ia ka dalë që të ringrihet pas një humbjeje.
Ka fituar 7 ndeshje pas 8 humbjeve. Por në ndryshim të rasteve të tjera, Inzagi ka edhe një stil komunikimi që bën diferencën me të shkuarën. Pas humbjes në Firence, ai i spostoi prozhektorët te vetja, duke marrë të gjithë përgjegjësinë dhe pastaj për t’u hakmarrë pak ditë më vonë. “Jam i kënaqur që të gjithë u morën me mua dhe jo me skuadrën”, tha trajneri. Një trajner i aftë për t’u përgjigjur edhe ndaj gabimeve të arbitrave dhe për të çuar presionin tek Antonio Konte, rivali i drejtpërdrejtë në kampionat.
“Rrugëtimi ynë në Champions është i shkëlqyer, ndërsa në kampionat po luftojmë për titullin, ashtu siç ka edhe ekipe të tjera që duan ta fitojnë”, tha numri një i zikaltërve. Sfida është totale dhe ky Inzagi duket pak si Murinjo dhe pak si Konte. Një trajner i strukturuar për të duruar dhe për të fituar në të gjitha aspektet.
ZGJEDHJET PEFEKTE- Nuk duhet të harrojmë edhe zgjedhjet që bëri trajneri. Përballë Fiorentinës iu desh që të zëvendësonte Turamin për shkak të dëmtimeve dhe në pjesën e parë të linte Çalhanoglunë jashtë për çështje teknike. Mori përgjigjet e duhura nga pankina. Arnautoviç vendosi ndeshjen me asistin e Karlos Augustos.
Zielinski e dirigjoi mirë skuadrën në trafikun e mesfushës me personalitet. Në pritje për të gjetur Çalhanoglunë e vërtetë, në prag të ndeshjes me Juventusin, polaku dha përgjigjet e duhura. Pikërisht kjo ishte strategjia e zikaltërve për të pasur një ekip titullarësh dhe të tjerë që ndihmojnë grupin.
TË KARIKUAR- Ajo që vlen, në këtë pikë të luftës, është fakti që Interi është aty ku do të ishte. Është i gatshëm që të luftojë si në kampionat ashtu edhe në Champions. Vetëm një pikë larg kreut, që një javë më parë rrezikonte që të ishte më i largët. Zikaltrit janë skuadra e vetme italiane që siguruan kualifikimin direkt në fazën e 1/8-ave të Champions-it. Në Kupën e Italisë do të luajnë ndaj Lacios dhe në gjysmëfinale i pret Milani nëse ia dalin. Një sfidë që ka rezultuar delikate për formacionin zikaltër. Mund të sfidohen edhe në Champions…