Jehona e kritikave të Presidentit Donald Trump ndaj Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy vazhdon ende. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson, zoti Trump u mëshoi qëndrimeve të tij ndaj zotit Zelenskyy, duke e quajtur atë një diktator pasi nuk ka mbajtur zgjedhje që nga koha kur nisi sulmi rus, në shkurt të vitit 2022.
Në një përpjekje për të ulur tensionet me Shtetet e Bashkuara zoti Zelensky tha të enjten në mbrëmje se marrëdhëniet e forta mes dy vendeve i shërbejnë gjithë botës dhe se bisedimet me të dërguarin e Presidentit Trump "rikthyen shpresën" për një marrëveshjeje me Uashingtonin.
Qytetet ukrainase të Odesës dhe Kievit u tronditën nga sulmet ruse të enjten, zhvillime që vijnë teksa Evropa po reagon ndaj pohimeve të Presidentit amerikan Donald Trump se ishte Ukraina që nisi luftën me Rusinë dhe se Presidenti Volodymyr Zelensky është një "diktator" pasi nuk ka mbajtur zgjedhje.
"Tre vite më parë, një vend sulmoi në mënyrë të paligjshme një tjetër dhe që atëherë, ukrainasit kanë luftuar për lirinë e tyre", tha John Healey, Sekretar i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar.
Disa aleatë të vjetër po vënë re një ndryshim në partneritetin amerikan në fushën e sigurisë.
“Evropa po kupton se nuk mund tia delegojë sigurinë e saj fuqive të tjera. Qeveria franceze qëndron në krah të Ukrainës ndërsa lufton për lirinë e saj, por edhe për sigurinë tonë evropiane”, tha Sophie Primas, zëdhënëse e qeverisë franceze.
Në Kongresin amerikan, qëndrimet e Presidentit Trump ndaj Ukrainës kanë nxitur kritika të forta nga demokratët.
“Kur Presidenti Trump kërkon zgjedhje përpara se të arrihet një lloj armëpushimi ose një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme (në Ukrainë), shkaktohen keqkuptime ose keqinterpretime se kush është agresori dhe kush është viktima. Presidenti rus Putin nuk është zgjedhur kurrë në zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Senatori demokrat Chris Coons anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Disa ligjvënës republikanë kundërshtuan gjithashtu qëndrimet se ishte Ukraina ajo që e filloi luftën me Rusinë - ndërkohë të tjerë i janë bashkuar Presidentit Trump në thirrjen për zgjedhje në Ukrainë.
“Presidenti ka të drejtë që nuk ka pasur zgjedhje për një kohë të gjatë, dhe ata në thelb janë në gjendje të jashtëzakonshme nën ligjin ushtarak. Kjo nuk është gjë e mirë. Nëse pretendojnë se mbrojnë demokracinë, ata duhet ta bëjnë këtë gjë në praktikë”, tha senatori republikan Josh Hawley.
Ish-Presidenti rus Dmitry Medvedev, aktualisht nënkryetar i Këshillit të Sigurisë, shkruante në rrjetin social X se: "nëse do të më kishit thënë vetëm tre muaj më parë se këto ishin fjalët e presidentit amerikan, do të kisha qeshur me të madhe".
Ndërkohë ekspertja Liana Fix tha për Zërin e Amerikës se kritikat e Presidentit Trump ndaj zotit Zelenskyy janë përsëritje e qartë e pretendimeve të rreme të Rusisë për Ukrainën.
“Ne duhet ta shohim këtë si një lëvizje të Donald Trump-it për të minuar legjitimitetin e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy e në rastin më të keq Trump që po mbron qëndrimet e Rusisë”, tha zonja Fix, bashkëpunëtore në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.
Të enjten zoti Zelenskyy u takua në Kiev me të dërguarin amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, por një konferencë e planifikuar për shtyp e dy zyrtarëve të lartë u anulua, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara. Pas takimit Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se "marrëdhëniet e forta Ukrainë-SHBA janë në dobi të mbarë botës", në një përpjekje të qartë për të ulur tensionet me Uashingtonin.
Zoti Zelenskyy e cilësoi takimin me të dërguarin e Presidentit Trump, Keith Kellogg, produktiv. Sipas tij ishte biseduar mbi "situatën në fushëbetejë, kthimin e burgosurve të luftës dhe garancitë e sigurisë" për Ukrainën nëse lufta përfundon. Ai shtoi se bisedimet me zotin Kellogg "rikthejnë shpresën" në drejtim të arritjes së një marrëveshjeje me Uashingtonin.
“Ne kemi nevojë për marrëveshje të fortë me Amerikën, marrëveshje që do të funksionojë vërtet. Interesat ekonomike dhe interesat e sigurisë duhet të shkojnë gjithmonë krah për krah. Detajet e marrëveshjes janë të rëndësishme. Sa më mirë të hartohen detajet, aq më i mirë është rezultati”, tha ai.
I dërguari amerikan për luftën në Ukrainë Keith Kellogg tha të premten se kishte zhvilluar bisedime "gjithëpërfshirëse e pozitive" me Presidentin Zelenskiy.
Në rrjetin social X zoti Kellogg shtonte se gjatë vizitës së tij në kryeqytetin ukrainas kishte biseduar sic tha ai edhe me "ekipin e talentuar të sigurisë kombëtare" të zotit Zelenskiy.