Real Madrid i përgjigjet Barcelonës dhe Atleticos. “Los Blancos” arritën të fitonin 2-0 në “Bernabeu” ndaj Gironës, duke barazuar sërish me pikë në krye të renditjes Barcelonën. Një fundjavë që pa të treja skuadrat spanjolle që kryesojnë renditjen në La Liga të triumfojnë, me një fund sezoni që pritet të jetë spektakolar në Spanjë.
Ndaj Gironës, skuadra e Carlo Ancelottit realizoi nga një gol në çdo pjesë për të siguruar 3 pikët. Në pjesën e parë, mbretërorët do të zhbllokonin sfidën, pas një supergoli nga ana e Luka Modriç. Kroati lëshoi një silurë nga jashtë zonës, me sferën që u ndal në trekëndësh, duke treguar se 39 vitet që ai ka mbi shpinë janë thjesht një numër për kroatin. Pjesa e dytë foli e gjitha për vendasit që shpërdoruan pa fund raste me golin e dytë që do të vinte vetëm 7 minuta nga fundi i kohës së rregullt, me brazilianin Vinicius që falënderon Mbappen për assistin e dhënë duke mposhtur portierin e miqve për herë të dytë. Në këtë mënyrë skuadra madrilene rikthehet tek suksesi në kampionat, që mungonte prej 3 javësh.
I lumtur pas rikthimit tek fitorja në La Liga ishte tekniku italian, Carlo Ancelotti: “Mund ta kishim mbyllur ndeshjen më herët, pasi krijuam shumë raste, megjithatë skuadra bëri një paraqitje shumë të mirë. Luka Modriç? Ai është një legjendë, një dhuratë për futbollin. Lojtar si ai nuk njohin moshë, mund të luajnë sa kohë të duan. Jemi me fat që e kemi në ekip.”
Real nuk gabon dhe i përgjgijet Barçës, është ky mesazhi kryesor që vjen nga mediat prestigjoze spanjolle, “Marca” dhe “AS” , pas triumfit të skuadrës së Real Madrid.