Në Gjermani ekziston liria e shprehjes. Ligji themelor, kushtetuta gjermane, e garanton atë në nenin 5. Megjithatë aty theksohet, se kjo liri ka edhe kufij. Për shembull, për të mbrojtur të rinjtë, privatësinë apo dinjitetin personal.
Në veçanti, mbrojtja e dinjitetit personal luan një rol të madh në traditën ligjore gjermane, thotë avokati Ralf Poscher, drejtor i Institutit Max Planck për Studimin e Krimit, Sigurisë dhe Ligjit në Freiburg. "Kjo e ka prejardhjen nga shoqëria klasore, në të cilën nderi ishte shumë rëndësishëm. Dhe këto koncepte të nderit, të cilat u adoptuan edhe nga borgjezia, janë bërë pjesë e sistemit tonë ligjor."
Lejohet shpifja?
Në Gjermani është vepër penale të ofendosh të tjerët. Ju gjithashtu nuk mund të përhapni gënjeshtra që poshtërojnë të tjerët. Kjo do të thotë se liria e shprehjes është shumë më e kufizuar në Gjermani sesa në SHBA, thotë Nadine Strossen, profesore në Shkollën Juridike të Nju Jorkut. Ish-presidentja e Unionit Amerikan të Lirive Civile (ACLU) konsiderohet një mbrojtëse e rreptë e lirisë së shprehjes.
"Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara është ligji kombëtar që mbron më së shumti fjalën e lirë në botë", thekson Strossen. Ky amendament ndalon ligjet që kufizojnë lirinë e fjalës. Që do të thotë se fyerjet dhe gënjeshtrat që dëmtojnë reputacionin tuaj mbulohen në masë të madhe nga liria e fjalës. "Edhe nëse besoni se një mesazh është urrejtës, ekstremist ose nxit dhunën, vetëm kjo nuk do të jetë kurrë e mjaftueshme për të justifikuar shtypjen e tij në vendin tonë."
Mohimi i Holokaustit i ndaluar
Babai i Strossen i mbijetoi kampit të përqendrimit Buchenwald. Megjithatë, ekspertja e fjalës së lirë thotë se edhe mohimi i Holokaustit duhet të lejohet të shprehet. Ndërkohë që në Gjermani është vepër penale të mohosh publikisht gjenocidin nacionalsocialist të hebrenjve.
Kjo kategorizohet si e ashtuquajtur nxitje e urrejtjes në popull. Kushdo që bën thirrje për urrejtje ose dhunë ndaj grupeve të caktuara etnike, fetare ose kombëtare mund të dënohet deri në pesë vjet burg.
Demokracia mbron veten kur kërcënohet
Shprehja e mendimit politik pa gjuhë të urrejtjes lejohet, thotë studiuesi juridik Poscher. "Liria e shprehjes dhe liria e tubimit mbrojnë të gjitha llojet e opinioneve, përfshirë ato edhe në skajet e spektrit politik." Kjo është arsyeja pse marshimet e ekstremistëve të djathtë janë të mundura në Gjermani. "Sigurisht që nuk duhet të kaloni kufirin e frikësimit, fyerjes, degradimit dhe të tjera si këto, por mund të propagandoni edhe ide antikushtetuese."
Shteti mund të veprojë vetëm kur armiqtë e kushtetutës organizohen në atë mënyrë që të mund të përbëjnë kërcënim për demokracinë. Atëherë mund të ndalohen edhe klubet dhe festat. E ashtuquajtura demokracia që "mbrohet" synon të parandalojë që Gjermania të kthehet sërish në diktaturë, siç ndodhi në kohën e nacionalsocializmit.
Më mirë të injorosh sesa të ndalosh?
Për Strossen, e gjithë kjo vërtet është me qëllim të mirë, megjithatë, nuk të afron më shumë në realizimin e qëllimit për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. "Unë mendoj se kjo qasje paternaliste jo vetëm që kufizon lirinë individuale, por është përfundimisht joefektive. Historia tregon se mënyra më e mirë për të tërhequr vëmendjen për mesazhin tuaj është të shpresoni se dikush do të përpiqet ta parandalojë atë."
"Rritja shqetësuese" e AfD, pjesërisht ekstremiste e krahut të djathtë ndodh pavarësisht përpjekjeve për të ndëshkuar deklaratat e urrejtjes, sipas Strossen, e pikërisht për këtë. "Kjo rrit vëmendjen, rrit simpatinë, rrit dyshimin dhe mosbesimin ndaj partive të tradicionale." Strossen beson se është më mirë të injorosh urrejtjen dhe agjitacionin sesa ti ndalosh ato. Pretendimet e rreme po mund të kundërshtohen.
Çdo i dyti person tërhiqet nga diskutimet
Debati për kufijtë e lirisë së shprehjes është intensifikuar që nga rritja e mediave sociale. Ato i mundësojnë të gjithëve të shprehin opinionet e tyre - por aty gjen edhe urrejtje dhe agjitacion - publikisht. Sipas një studimi të mbështetur nga Ministria e Familjes, pothuajse çdo i dyti person në Gjermani është fyer në internet. Një e katërta e të anketuarve janë përballur me dhunë fizike dhe 13 për qind me dhunë seksuale. 55 për qind e të anketuarve u shprehën, se morën pjesë më pak në diskutime si rezultat i kësaj.
Studiuesi juridik, Ralf Pauscher flet për debatin jo të civilizuar që mund të gjendet në internet. "Aty ku njerëzit degradohen, ofendohen dhe persekutohen me një fluks komentesh urrejtjeje. Kjo gjithashtu bën që shumë njerëz të mos marrin më pjesë në debatin publik." Por debati është baza e një demokracie të gjallë. Prandaj, duhet "këmbëngulur për një nivel të caktuar civilizimi në debatin publik".
Nga ana e saj thekson Strossen, Gjermania është më përpara sesa SHBA kur bëhet fjalë për lirinë e fjalës për sa i përket përmbajtjes seksuale dhe lakuriqësisë. "Ne amerikanët jemi tejet të kufizuar." Shfaqja e gjinjve të një gruaje që ushqen foshnjen me gji do të shkaktonte ndërhyrjen e censurës në SHBA, thotë ajo.//DW