Abilaliaj mesazh ekipit: Duhet të qëndrojmë në shina

- Bota Sot

Abilaliaj mesazh ekipit: Duhet të qëndrojmë në shina

Partizani ka triumfuar në shtëpi përballë Laçit në ndeshjen e vlefshme për raundin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë.

Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”, përfundoi 2-1 në favor të vendasve.

Pas kësaj sfide ka folur trajneri fitues, Arbër Abilaliaj.

“Në fillim dua të falenderoj gjithë futbollistët, ambientin, tifozët, njerëzit që na kanë qëndruar afër këto ditë pasi kanë qenë të vështira.

Mendoj se nuk kisha dyshime, e dija që do të ishte ndeshje e vështirë. E dija që do të kalonim. Vinim nga një moment jo i mirë, humbje para 3 ditësh me Bylisin në shtëpi. Mënyra si luajtëm dhe besuam deri në fund, kjo është fryma e këtij ekipi.

Por duhet të qëndrojmë në shina, ky ekip ka grintë dhe nuk ka pse mos të arrihen objektivat. Duhet të besojmë dhe shpresojmë se kemi një ekip të ri, filozofi tjetër për të ndërtuar, është normale dhe duhet pak kohë për tranzicionin. Sot ishte një tullë e hedhur për ndërtimin e një shtëpie të madhe. Sot çunat të shijojnë fitoren, pasi ka shumë gjëra për të bërë dhe rregulluar.

Kam qenë terësisht i bindur që me organikën që kemi, ky është formati ynë më i mirë. Duke pasur parasysh si erdhi loja, si e kishim përgatitur, duhej të përshtateshim me dinamikat e lojës. Sot morëm risk për të luajtur në një modul tjetër, për vetëm dy ditë erdhi dhe ky ndryshim. Jemi munduar t’i vendosim lojtarët aty ku japin 100% dhe e morëm atë 100%.

Zëvendësimi i Qirkos me Alban Hoxhën? Ishte i detyruar, kemi humbur një ndërrim aty pasi Albani pësoi një dëmtim në mes dhe ishte i detyruar të linte fushën. Ky zëvendësim na ngushtoi hapësirën për të bërë lëvizje në pjesën e dytë. Një zëvendësim më shumë do të sillte më shumë freski.

Eleke? Futbollisti është gati 100%, në javët në vazhdim do të integrohet me pjesën tjetër të ekipit. Kemi shumë futbollistë të gatshëm që janë të gatshëm për të luajtur nga fillimi. Në varësi të ndeshjeve, shumë lojtarë mund ta nisin nga fillimi”, është shprehur Arbër Abilaliaj.



Read it all at Bota Sot