Jemi në fund të shkurtit dhe Juventusi është ende duke luftuar me emergjencën e dëmtimeve.
Ndalesat e Duglas Luiz dhe ajo e Savonës janë të fundit në një seri të pafund problemesh muskulore, që do t’i shtohen atyre të një natyre traumatike që përfunduan herët sezonet e Bremerit dhe Kabalit, duke lënë mënjanë këtu misterin rreth gjendjes së Milikut.
Të dhënat janë jo pak shqetësuese nëse bëjmë një analizë nga fillimi i fazës përgatitore e deri më sot. Bardhezinjtë kanë regjistruar 26 dëmtime muskulore të shpërndara mes 14 lojtarëve, për një total prej 430 ditësh mungesë nga fushat e lojës.
Lojtari që është ndalur më shumë, katër herë është Duglas Luiz.
Fillimisht ndalesa e gjatë nga fundi i tetorit deri në fillim të dhjetorit, më pas dy probleme të tjera fizike që e detyruan të humbasë ndeshjen në Monza dhe dy ndeshjen mes PSV-së dhe Interit, deri në dëmtimin e ri javën e kaluar në Kaljari. Ajo që është veçanërisht e habitshme në këtë rast është historia mjekësore e brazilianit, e cila flet për një lojtar absolutisht të besueshëm në nivel fizik.
Dëmtimi i fundit përpara se të vishte fanellën bardhezi, daton në vjeshtën e vitit 2021, gjatë kohës së tij te Aston Vila, kur ai humbi tre ndeshje në Premier League për shkak të një problemi në kofshë. Është e vështirë të përcaktosh shkaqet e kësaj brishtësie të papritur, por sigurisht që dikush në J-Medical duhet të pyesë veten për këtë çështje.