E ardhmja e Ronald Araujo-s ishte një temë shumë e diskutuar në janar, me zëra të shumtë merkatoje dhe një transferim te Juventusi që dukej shumë i mundshëm për shkak të presionit nga klubi italian.
Megjithatë, mbrojtësi uruguaian i lindur në vitin 1999 vendosi të firmoste një kontratë afatgjatë me Barcelonën deri në vitin 2031, duke shuar ëndrrat e drejtorit sportiv Giuntoli dhe trajnerit Thiago Motta.
Në një intervistë për gazetën ‘SPORT’, lojtari foli për atë periudhë të tensionuar.
"Isha i qetë sepse e dija çfarë doja. Të qëndroja. Patëm negociata për disa detaje të kontratës me klubin, por kjo është normale. Kthehesh pas gjashtë muajsh jashtë dhe ka gjëra për të diskutuar.
Por unë gjithmonë kam qenë shumë i qartë për këtë. Dhe kjo u pa edhe nga mënyra se si luajta në finalen e Superkupës.
Dyshime? Jo. Siç thashë, po negocionim dhe kishte faktorë që nuk vareshin nga unë".
Sa i përket qëndrimit të tij për një kohë të gjatë te Barça, ai shtoi: "Nëse varet nga unë, do të qëndroj. Jam i lumtur në Barcelonë dhe besoj se vitet më të mira janë përpara.
Kam kaluar momentet e vështira ekonomike të klubit dhe tani dua të shijoj momentet e mira. Kam investuar në këtë klub dhe kur gjërat ishin të vështira, unë qëndrova".
Dhe më tej: "Kisha shumë mundësi për tu larguar, por besova, doja të qëndroja. Besova se do të ndryshonim situatën dhe do të ecnim përpara. Tani është momenti për ta shijuar.
Ndihem i rëndësishëm këtu, familja ime është e lumtur në Barcelonë, dhe shpresoj ta respektoj të gjithë kontratën time. Prandaj firmosa një marrëveshje afatgjatë".
Kur u pyet për klauzolën e tij të ulët të largimit (65 milionë euro), ai e minimizoi çështjen duke thënë: "Jam vërtet i lumtur, sinqerisht.
Ndiej se gjëra të mëdha po vijnë dhe njerëzit do ta kuptojnë. Dhe ndiej se një fazë e mirë e karrierës sime po afron, jam i bindur për këtë".