Van Dajk: Tifozët mund të festojnë

- Bota Sot

Van Dajk: Tifozët mund të festojnë

Kapiteni i Liverpulit, Virxhil van Dajk, këmbëngul se “asgjë nuk është vendosur ende” në garën për titull në Premier Ligë, pavarësisht se skuadra e tij kryeson me 13 pikë avantazh pas fitores 2- 0 ndaj Njukasëllit në javën e fundit.Golat nga Dominik Sobozlai dhe Aleksis Mek Alister ndihmuan Liverpulin që mposhte skuadrën e Edi Haut në “Anfield” të mërkurën mbrëma, me Arsenalin e vendit të dytë që u ndal në një barazim pa gola me Notingem Forestin. Ishte ndeshja e pestë në harkun kohor prej 15 ditësh për skuadrën e Arne Slotit, e cila tani është e pamposhtur në 24 ndeshje në kampionat. “Unë mendoj se ishte një paraqitje e mirë: në sulm, në mbrojtje”, tha Van Dajk për duelin e fundit.

“Ajo që më ka pëlqyer më shumë dhe ajo që më pëlqen të shoh, ishin 20 minutat e fundit dhe si e kontrolluam lojën me topin në zotërim dhe i lamë ata të vrapojnë. Unë mendoj se ne e bëmë atë mirë. Është gjëja më e vështirë të vazhdosh të vraposh pas topit dhe të përpiqesh të fitosh topin, por nëse e ke atë atëherë mund të krijosh hapësirë dhe më shumë raste dhe mendoj se ne e bëmë këtë mirë”.

“Anfield” shpërtheu në festë me lajmet për rezultatin e Arsenalit që filtruan në stadium dhe tifozët këndonin: “Ne do ta fitojmë Ligën”. Sidoqoftë, qendërmbrojtësi holandez është i bindur se ai dhe shokët e tij të skuadrës nuk do të shpërqendrohen nga zhurma e jashtme në rrugën për të siguruar një titull të 20- të kampion këtë sezon.

“Ata mund të këndojnë çfarë të duan”, shtoi ai. “Ne duhet të përballemi me këtë. Ishte një atmosferë e mirë si gjithmonë dhe ne duhet të sigurohemi padyshim që në pjesën tjetër të ndeshjeve këtu do të jetë një atmosferë e mrekullueshme dhe ne duhet të vazhdojmë. Patjetër që na pëlqen atmosfera. Nuk mendojmë ‘jemi pothuajse aty’. Kanë mbetur edhe 10 ndeshje të tjera për ne dhe asgjë nuk është vendosur ende. Unë do të jem djali i mërzitshëm në këtë kuptim, sepse do të them ‘mendojmë për ndeshjen e radhës, ruani qetësinë’”, shtoi ai.

“Ishin 15 ditë intensive me shumë ndeshje dhe mendoj se ne dolëm mjaft mirë prej tyre dhe e kemi vendosur veten në një pozicion shumë të mirë. Por kjo nuk do të thotë se është bërë asgjë. Unë vazhdoj t’i kujtoj lojtarët dhe gjithashtu botën e jashtme se nuk ka kohë dhe hapësirë për vetëkënaqësi.

Nëse do të bënim një paraqitje të keqe, atëherë performanca kundër Sitit nuk vlente për asgjë. Mendoj se bëmë një lojë të shkëlqyer dhe nuk pësuam.

Jemi skuadra që nuk kemi pësuar në më shumë ndeshje këtë sezon dhe kjo varet nga puna e palodhur e skuadrës. Ne duhet ta vazhdojmë atë dhe të shohim se çfarë do të sjellë”.



Read it all at Bota Sot