Mesfushori i Interit, Hakan Calhanoglu, ka dhënë një intervistë për revistën e UEFA-s në prag të ndeshjes së Champions League kundër Feyenoordit, ku ka folur për rëndësinë e turneut dhe ka renditur pesë golat e tij më të bukur në këtë kompeticion.
Futbollisti turk theksoi se në Champions duhet të japësh gjithçka, pasi është turneu më i rëndësishëm në nivel klubesh: “Kur luan në Champions League, të gjithë sytë janë te ti, ndaj pritshmëritë ndryshojnë. Është turneu më i madh, niveli është shumë i lartë dhe duhet të japësh gjithçka. Në këto ndeshje nuk mund ta kursesh veten asnjë sekondë”.
Calhanoglu ka renditur pesë golat e tij më të rëndësishëm dhe më të bukur në Champions League:
Inter-Barcelona – “Isha shumë afër topit dhe nuk kisha liri lëvizjeje. Duhej të mendoja dhe të veproja shpejt, gjë që e bënte gjuajtjen të vështirë, edhe pse nga jashtë mund të dukej e lehtë. Godita për një fraksion sekonde”.
Inter-Crvena Zvezda – “Do të meritonte gjithashtu vendin e parë. Ishte një moment fantastik, sepse kisha kohë që nuk shënoja nga goditja e dënimit. E dija që tifozët e prisnin atë moment, ishte gol emocionues”.
Bayer Leverkusen-Atletico Madrid – “Një gol shumë i veçantë për mua, sepse në stadium ishte Fatih Terim, trajneri i kombëtares sonë në atë kohë. Doja shumë të shënoja para tij”.
Leverkusen-CSKA Moskë – “Në atë kohë luaja si ’10’. Topi ishte në ajër dhe nuk pata kohë ta kontrolloja, ndaj gjuajta menjëherë. Kisha pak fat, sepse topi u devijua dhe përfundoi në rrjetë”.
Inter-Arsenal – “Ishte një penallti shumë e rëndësishme dhe u ndjeva i lehtësuar kur e shndërrova në gol. Sidoqoftë, si gol e vendos në vendin e fundit, sepse ishte thjesht një 11-metërsh”.
Tani, Calhanoglu është i gatshëm të udhëheqë Interin në ndeshjen e parë të 1/8-ave kundër Feyenoordit, një skuadër e fortë dhe e organizuar mirë. Me përvojën dhe talentin e tij, turku pritet të jetë një nga lojtarët kyç në mesfushën zikaltër.