5 fitore radhazi dhe 15 pikë në 5 ndeshjet e fundit, kundrejt 7 pikëve të Interit kryesues, 4 të Napolit ndjekës i parë, 9 të Atalantës së tretë dhe 11 të Lazios së pestë, e kanë çuar Juventusin, aktualisht të katërtin në Serie A, vetëm 6 pikë larg kreut. Me vetëm 11 javë deri në fund të kampionatit, klasifikimi aktual tregon se bardhezinjtë janë ende në garë për titullin.
Megjithatë, në një sezon kaq të mbushur me ulje-ngritje dhe kontradikta, në “Continassa” preferohet të ruhet realizëm i shëndetshëm. Eliminimet e fundit nga Champions League dhe Kupa e Italisë i mbajnë të ulëta ambiciet afatmesme, aq sa, sipas “Tuttosport”, në dhomat e zhveshjes është e ndaluar të përmendet fjala “titull”.
Nuk është dorëzim apo bestytni, për t’u kuptuar qartë, por dëshira për të ecur përpara ndeshje pas ndeshjeje, për të ndërtuar diçka që deri tani është parë vetëm pjesërisht: organizim i shkëlqyer mbrojtës, por një lojë ende e ngadaltë dhe e ngurtë.
Shumë të rinj janë hedhur në fushë, por ende nuk ka një identitet të qartë të skuadrës. Pa përmendur ndryshimet e shpeshta të formacionit nga Thiago Motta, i cili nuk është ndihmuar nga performanca e dobët e disa përforcimeve kryesore të verës, mbi të gjitha e Koopmeiners.
Arsyetimi është i thjeshtë: vazhdimësia e treguar nga tri skuadrat e para e bën edhe më të vështirë garën e Juventusit për titull, duke qenë se bardhezinjtë duhet të kalojnë jo një, por tre kundërshtarë.
Megjithatë, nëse seria e fitoreve vazhdon, të mos harrojmë që të dielën është përballja me Atalantën në “Allianz Stadium”, dhe kur të mbeten 5, 6 javë nga fundi, nëse Juve do të jetë ende aty, pse të mos ëndërrojë?