Barcelona ka filluar negociatat për të vazhduar bashkëpunimin me Wojciech Szczęsny, kontrata e të cilit skadon në fund të sezonit aktual.
Portieri polak ka arritur të ruajë portën e pastër në tetë nga katërmbëdhjetë ndeshjet e luajtura. Ai është kthyer në një lojtar kyç për katalanasit dhe bordi tashmë po punon për rinovimin e kontratës së tij.
Vendimi i klubit për të nënshkruar me Szczęsny nuk është rastësi. Performanca e tij ka bindur stafin, të cilët e shohin atë si një opsion më të besueshëm se Inaki Pena për rolin e portierit të dytë në skuadër për sezonin e ardhshëm.
Edhe pse polaku fillimisht mbërriti për të mbuluar Marc-Andre ter Stegen për shkak të dëmtimit, perfomancat e tij kanë krijuar mjaft besim për të marrë parasysh qëndrueshmërinë e tij përtej verës.
Gazetari Nicolo Schira raporton se tashmë janë duke u zhvilluar negociatat mes dy palëve, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje nga e cila do të përfitojë edhe lojtari dhe Barcelona.
Drejtori sportiv, Deco, po punon për një kontratë që përshtatet me mundësitë financiare të klubit, për të siguruar vazhdimësinë e një portieri që ka dëshmuar që është shumë i vlefshëm për skuadrën.