Rraman Asani ka debutuar dje në Ligën e Dytë të Maqedonisë, në takimin që Bashkimi 1947 mposhti bindshëm Ohridin me rezultat 3-0 në fushën e Bashkimit.
Ky rezultat i dha një komoditet trajnerit Bazhe Janakievski që t’i jap rastin talentit të ri të Bashkimit, Rraman Asani.
Mbrojtësi 19-vjecar hyri në lojë në pjesën e dytë duke e zëvendësuar mbrojtësin Rexhep Murati.
Rramani dhe Murati janë familjarë të ngushtë mes tyre. Ata janë dajë e nip. Rramani është daja i Rexhepit.
Vetë futbollisti tregoi emocionet për këtë ndeshje të parë të tijën në Ligën e Dytë.
“Kisha shumë emocione, pasi për herë parë luaja para publikut tonë në Kumanovë. Ndjenja të tilla deri tani nuk kam përjetuar.
Unë s’e pritja aktivizimin tim, por në momentin kur më tha trajneri të shkojë në nxemje dhe të bëhem gati për lojë më kapluan emocionet. Unë hyra në lojë në vend të Rexhep Muratit. Atë e kam djal të hallës.
Kur u përshëndetëm më uroj suksese. Mendoj se për minutat sa isha në lojë kam dhënë maksimumin”, deklaroi Asani për Open-TV.
Rraman Asani te Bashkimi erdhi në afatin e fundit kalimtar nga të rinjtë e Shkëndijës së Tetovës. Ai karrierën e ka filluar te KF Kumanova, ku për trajner e ka pasur profesor Ismet Zeqiri.