5 fitore radhazi në Serie A e kishin rikthyer Juven në garë për titull, por në dhomat e zhveshjes ishte e ndalur të lakohej fjala titull, kjo pasi “Zonja e Vjetër” kishte përpara 3 ekipe shumë të forta. Me sa duket drejtuesit e Juves e kishin të qartë se çfarë i priste, fakt që ia vërtetoi Atalanta. Ekipi i Berat Gjimshitit i dhuroi një leksion të vërtetë futbolli duke i “çmontuar” brenda në Torino me rezultatin e pastër 4-0. Bergamaskët ishin superior në çdo aspekt duke marrë menjëherë kontrollin e lojës.
Në minutën e 29-të, Berat Gjimshiti fitoi një 11-metërsh, për prekje të topit me dorë nga McKenni. Nga pika e bardhë e penalltisë, Retegui u tregua i saktë duke kaluar Atalantën në avantazh. Në fraksionin e dytë, djemtë e Gasperinit ishin të papërmbajtshëm. Në minutën e 46-të De Roon dyfishoi shifrat, ndërsa në të 66-të Zappacosta finalizoi një aksion model duke shënuar golin e tretë. Një gafë e Vlahovic në minutën e 77-të i dha mundësinë Lookman të kompletonte “pokerin” e golave. Me këtë fitore, Atalanta përforcon pozitat në vendin e tretë në kuotën e 58 pikëve, 3 më pak se Interi kryesues, rivali i tyre i radhës në Serie A.
Humbja e pësuar përballë Atalantës nuk është pritur mirë në Torino, madje TuttoSport nuk përdor lojëra fjalësh por hap faqen e parë më titullin: “Mjaft me”, titull shoqëruar me foton e Thiago Motta-s. Në Itali mediat shkruajnë se Motta ka firmosur shkarkimin e tij, ndërsa si pasues i mundshëm në majën e listës qëndron një ish i famshëm si Allegri.