Portieri i Prishtinës, Altin Gjokaj, nuk do të mund të luajë në pjesën e mbetur të sezonit pas një lëndimi të pësuar gjatë stërvitjes, ka njoftuar klubi kryeqyetas të hënën.
Sipas njoftimit, nëntëmbëdhjetë vjeçari ka dëmtuar meniskun e gjurit dhe do të duhet t’i nënshtrohet operimit.
“Portieri i ekipit tonë ka pësuar një lëndim gjatë seancës stërvitore dhe pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ka dëmtim të meniskut të gjurit. Në këtë mënyrë, Gjokaj duhet t’i nënshtrohet operimit dhe rrjedhimisht do ta humbë pjesën e mbetur të sezonit. Gjokajt i urojmë rikthim sa më të shpejtë në fushë”, thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas.
Gjokaj i ishte bashkuar Prishtinës në fund të vitit 2023 nga skuadra e Drenicës, ku kishte debutuar në Superligë që në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare.