Shumë njerëz në qytetin italian të Napolit dhe rreth tij kaluan natën në rrugë dhe në makinat e tyre pasi një tërmet goditi ndërtesat dhe solli shembjen e mbeturinave, shkruan BBC.
Sizmologët italianë thanë se tërmeti me magnitudë 4.4 goditi në orën 01:25 sipas kohës lokale të enjten në një thellësi të cekët prej tre kilometrash. Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së e ka matur atë si një tërmet 4.2, me thellësi 10 km.
Furnizimi me energji elektrike në disa pjesë të Napolit u ndërpre.
Në qytetin e afërt të Pozuolit, pranë epiqendrës së tërmetit, një person i plagosur u nxor nga të mbeturat e një shtëpie që ishte pjesërisht shembur.
Napoli ndodhet në Fushat Flegreane, një basen vullkanik që e bën këtë zonë në jug të Italisë të prirur për tërmete.
Tërmeti i së enjtes u ndje në disa zona të rajonit të Kampanias, raportuan mediat italiane.
Tërmeti u pasua nga të paktën dy pasgoditje më të dobëta.
Njerëzit janë parë duke lënë shtëpitë e tyre dhe duke u grumbulluar në rrugët e Napolit, duke pasur frikë nga më shumë tërmete.
Më vonë dolën fotografi që tregojnë një shtëpi të dëmtuar dhe një makinë me xhamin e thyer.
Një qendër koordinimi shpëtimi është ngritur për të vlerësuar dëmet.
Shkollat në Pozuoli dhe dy lagje të tjera të afërta do të jenë të mbyllura të enjten që të mund të bëhen kontrollime për stabilitetin e ndërtesave, raportoi gazeta Corriere Della Sera.