Dhjetë gola në 3 ndeshje të këtij sezoni i ka shënuar Dinamo skuadrës së Elbasanit.
Për blutë, duket sikur është “preja” e preferuar, ndërsa këtë fundjavë do të luhet edhe dueli i katërt mes tyre.
Përplasja e parë u fitua në fund me një penallti të Dejvi Bregut, edhe pse Dinamo ishte me 10 lojtarë. Takimi i dytë kishte një rezultat tenistik, ndërsa skuadra e Ilir Dajës triumfoi me shifrat 5- 0.
Ndërkohë, edhe në takimin e fazës së tretë, kryeqytetasit ishin ata që patën sukses, ndërsa morën 3 pikët, duke fituar 3-1. Pra, këtë sezon mund të themi me plot gojën se Dinamo është “macja e zezë” e Elbasanit.
STADIUMI DHE TENSIONI – Ndeshja e fundit e zhvilluar më 19 janar të këtij viti që pa fitues Dinamon, pati edhe tensione. Kur Zabërgja shënoi golin e dytë për blutë, nisi gjithçka. Gjatë momentit të përplasjes mes tifozerive, u desh edhe ndërhyrja e forcave të rendit, të cilët shoqëruan edhe disa tifozë të Elbasanit.
Këta të fundit ishin kundër zhvillimit të ndeshjeve të Dinamos si pritëse në stadiumin “Elbasan Arena”.
Megjithatë, Dinamo ka luajtur shumicën e ndeshjeve në këtë stadium dhe mund të themi se është bërë si një shtëpi e përkohshme për klubin blu. Këtë fundjavë ata do të rikthehen si miq, duke sfiduar ekipin e qytetit.
Ekipi i Ilir Dajës është tri pikë larg vendit të parë që mbahet nga Egnatia, teksa kanë mbetur edhe 7 javë për t’u luajtur. Kryeqytetasit synojnë që të qëndrojnë në dy vendet e para, sepse do të shfrytëzonin edhe avantazhin e barazimit që të jep formula. Por, aty me po aq pike, është edhe Vllaznia.