Pjesëtarë të grupit të Millan Radoiçiq, të cilët e kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, duket se tash i kanë dal në mbrojtje, Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Gazetari investigativ serb, Millan Radonjiç, thotë për Tëvë1, se në Beograd tashmë është shfaqur ky grup, i cili u pa teksa largoheshin maleve të Zveçanit, në orët e para të 24 shtatorit të vitit 2023.
“Janë njerëz që janë sjell aty, janë shfaqur disa veteranë, disa njësi të transformuara të policisë, dhe informata që janë sjell njerëz nga veriu i Kosovës. Aty kemi disa pjesëtarë të Listës Serbe që janë shfaqur, e informatat tona thonë se ka edhe anëtarë të atij grupit të Radojçiçit që ka bërë atë sulmin në Banjskë. Nuk di a do të duhej ta quaja sulm atë ngjarje, askush nuk e di çfarë ka qenë ideja pas asaj ngjarjeje, e dimë që ka përfunduar në mënyrë tragjike, ku është vrarë polici Afrim Bunjaku, dhe kanë rënë tre anëtarë të grupit të tij (Radojqiçit). Mendoj që fatkeqësisht, ata njerëz dhe shumë serbë nga Kosova janë të shantazhuar në një mënyrë a tjetrën, dhe janë të detyruar të jenë aty”, shprehet ai.
Si kundërpërgjigje ndaj protestave masive studentore, përkrahës të Vuçiq kanë vendosur tenda në afërsi të pallatit Presidencial.
Sipas gazetarit serb, këta persona u vendosën këtu në mënyrë që të ngrisin tensione të shtunën, kur do të mbahet një protestë tjetër e madhe.
“E shohim që institucionet kanë vendosur dhe kanë bërë të gjitha përgatitjet që të vijnë deri te një incident. Kemi një situatë që pranë atij parku ku është mitingu i atij grupi, është larguar rrethoja dhe janë vendosur afër gurë e tulla që shumë lehtë mund të përdoren në atë mbledhje. E them edhe një herë që protestat e studentëve në Serbi zgjasin tash e tre muaj dhe nuk ka ndodhur asnjë incident, asnjëherë. Ditëve të fundit, vetë presidenti i Serbisë flet në disa raste se do të bëhet një e keqe e madhe, që do të ketë shumë incidente, që shteti do të veprojë në mënyrë më të vendosur të mundshme”, thotë Radojniç.
Ai thotë se në përkrahje të Vuçiqit, në Beograd kanë mbërritur edhe shumë qytetarë nga veriu i Kosovës.
“Mu tash, para pak çasteve, mora informatë nga disa kolegë që para 10 minutave ishin në parkun Pionir, dhe aty kanë parë disa njerëz që janë sjellë me autobusë dhe të cilët po qëndrojnë aty pa e ditur çfarë po bëjnë dhe pse janë aty. Por si çdo herë deri tash, ky regjim është i gatshëm që serbët nga Kosova t’i përdorë si mish mbrojtës në qëllimet e tyre politike, ti i vendos para vete, dhe t’i keqpërdorë ata për të qëndruar vetë në pushtet”, shprehet ai.
Gazetari investigativ nga Beogradi deklaroi se kjo është protesta më e madhe që ka ndodhur nga koha e kasapit, Millosheviq.
Presidenti serb tash e katër muaj po përballet me protesta masive pas rënies së çatisë në stacionin hekurudhor në Novi Sad ku mbetën të vdekur 15 persona.