Forcat ruse po vazhdojnë përparimin e tyre të shpejtë në rimarrjen e territorit në rajonin e Kurskut, në Rusi, dhe më 12 mars pretenduan se kanë marrë kontrollin e qytezës Sudzha, teksa presidenti rus, Vladimir Putin, takoi komandantët ushtarakë duke iu bërë thirrje që të vazhdojnë përparimin.
“Qëllimi i tyre është të kalojnë kufirin tonë dhe të lëvizin sa më thellë që munden për të bërë përparim në territorin tonë, për të zgjeruar zonën e luftimeve aktive”, tha për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Andriy Demchenko, zëdhënës i Shërbimit të Rojeve Kufitare të Ukrainës.
Ndërkaq, me Rusinë që ka deklaruar se e pranon në parim propozimin amerikan për armëpushim me Ukrainën, zonat në Kursk, që u morën nga forcat ukrainase verën e kaluar, janë tkurrur në një fraksion të asaj që ishin muaj më parë, sipas organizatës Deep State.
Megjithatë, marrja e Sudzhës nga forcat ruse do të jetë “Fitore e Pirros”, sipas analistit ushtarak ukrainas, Oleksiy Yizhak.
“Sudzha është shkatërruar”, tha ai. “Nuk ekziston më, sikurse shumë vendbanime ukrainase që janë nën kontrollin e Rusisë. Ka mbetur shumë pak që të merret nën kontroll. Kjo është ajo që po ndodh në rajonin e Kurskut”.
Yizhak shtoi se Rusia shpesh gjatë luftës me Ukrainën e ka gjetur veten duke kontrolluar territore të shndërruara në gërmadha.
“Rusia po i shkatërron vendbanimet ku trupat ukrainase ishin të dislokuara. Mund të thoni se ato vendbanime nuk ekzistojmë më dhe prandaj Rusia i kontrollon ato”.
Sulmet ruse me dronë kanë vazhduar të godasin disa qytete ukrainase, përfshirë Sumin, që gjendet jo shumë larg zonës kufitare të Kurskut, por edhe Kievin, Odesën dhe Krivij Rihun.
Ukraina po ashtu ka vazhduar sulmet e saj ajrore dhe më 11 mars sulmoi Moskën, duke kryer sulmin më të madh me dronë që kryeqyteti rus ka përjetuar që nga nisja e luftës në Ukrainë më 2022. Nga ky sulm u vranë tre persona dhe katër aeroporte të Moskës u mbyllën, thanë zyrtarët rusë.
Në total, 343 dronë u rrëzuan mbi Rusi, përfshirë 91 mbi rajonin e Moskën, thanë zyrtarët rusë.
Guvernatori rajonal i Kurskut, Alexander Khinshtein, ka thënë se më shumë se 120 persona janë evakuuar nga Sudzha.
Zyrtarët amerikanë po synojnë t’i japin fund sa më shpejt luftës në Ukrainë. Kievi ka pranuar një armëpushim 30-ditor të propozuar nga Uashingtoni, gjatë takimit të delegacioneve ukrainase dhe amerikane në Arabinë Saudite.
Presidenti rus, Vladimir Putin, më 13 mars tha se pranon në parim këtë propozim, por shtoi se ka hollësi të cilat duhet të zgjidhen, si për shembull furnizimi i Kievit me armë perëndimore./REL