Gazeta kroate, Slobodna Dalmacija, njoftoi të premten se ekipi i saj nuk është lejuar të hyjë në Serbi për gjoja arsye se paraqesin rrezik sigurie.
Gazetari Petar Cikes dhe fotoreporteri Tom Dubravec u nisën për në Beograd për ta mbuluar një protestë të madhe studentore, e cilat është thirrur të shtunën e 15 marsit në kryeqytetin serb.
Slobodna Dalmacija – me seli në Split - tha se policia serbe e ndaloi ekipin e saj kur mësoi se ata ishin gazetarë dhe se, pas dy orëve pritje, u njoftuan se e kanë të ndaluar hyrjen në Serbi.
Slobodna Dalmacija shpjegoi në uebsajtin e saj në internet se autoritetet serbe u thanë gazetarëve të saj se "është vërtetuar se ekziston një vlerësim negativ i rrezikut të sigurisë në lidhje me hyrjen dhe qëndrimin e të huajve në territorin e Republikës së Serbisë".
Gazeta bëri të ditur se ekipi i tyre gazetaresk nuk ishte i vetmi që u kthye mbrapsht nga autoritetet serbe kufiri.
Ministria e Brendshme e Serbisë (MPB) nuk i është përgjigjur menjëherë pyetjes së Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë rast dhe nëse gazetarët nga Kroacia e kanë të ndaluar hyrjen në Serbi.
Më parë, Ministria e Jashtme e Kroacisë u bëri thirrje qytetarëve kroatë ta shtyjnë udhëtimin në Serbi për shkak të protestës së paralajmëruar më 15 mars në Beograd.
Studentët, të cilët i kanë bllokuar fakultetet anembanë Serbisë për më shumë se tre muaj, kanë bërë thirrje për një protestë në Beograd më 15 mars. Disa studentë u nisën në këmbë për në Beograd disa ditë para protestës. Ata shoqërohen nga qytetarë, por edhe maturantë.
Studentët në bllokadë, ndër të tjera, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 njerëzve nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024. Ata u mbështetën nga disa pedagogë që pezulluan mësimin, si dhe nga avokatë dhe disa fermerë e punonjës të kulturës.
Protestat masive dhe bllokada janë mbajtur deri më tani në Novi Sad, Kragujevc dhe Nish.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në ditët para protestave se ai pret që "opozita të organizojë dhunë të madhe më 15 mars" dhe se "të gjithë ata që marrin pjesë në të do të arrestohen". Ai nuk ka dhënë asnjë provë për këto pretendime.
Studentët në bllokadë mohuan se po përgatisnin ushtrimin e dhunës, duke kujtuar se të gjitha tubimet e mëparshme kanë qenë paqësore.
Rreth dhjetë ditë para protestës grupi “Studentët 2.0” ka kampuar në Parkun e Pionierëve, në afërsi të Kuvendit të Serbisë, ku ishte menduar të mbahej protesta e studentëve dhe qytetarëve. Ata e quajnë veten “studentë që duan të mësojnë” dhe kërkojnë ndalimin e bllokadave.
Ata deri më tani janë mbështetur nga veteranët e Njësisë së Operacioneve Speciale, i dënuari për krime lufte, Vladimir Lazareviq, dhe ish-komandanti i Xhandarmërisë të Serbisë, Goran Radosavleviq-Guri.
Radosavleviq, kolonel policie në pension, është lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyqi, për çka Departamenti amerikan i Shtetit ia ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara.
Një pjesë e publikut akuzoi Partinë Progresive Serbe në pushtet se qëndron pas organizimit të protestës, të cilën të mbledhurit në park e mohuan./REL