Gjoka: Ndaj Vllaznisë është një tjetër finale

- Bota Sot

Gjoka: Ndaj Vllaznisë është një tjetër finale

Skënderbeu udhëton ditën e nesërme në Shkodër për t’u përballur me Vllazninë në ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të të Superiores. Në prag të kësaj sfide të rëndësishme, trajneri i klubit korçar Ernest Gjoka doli në konferencë për shtyp për mediat.

Gjoka, humbja me Partizanin a e ndali vrullin e Skënderbeut?

Mund të them se u ndalëm në lidhje me rezultatin e ndeshjes së fundit pasi vinim nga një sërë rezultatesh pozitive dhe kjo humbje na e ndali disi vijimësinë. Por vrulli jo, nuk mendoj se një humbje e tillë mund të na ndalë vrullin dhe dëshirën që kemi për të bërë mirë në këtë fund kampionati. E them këtë pasi ekipi prodhoi dhe pati rastet e veta.

Nëse do të kishim shënuar goli e dytë, atëherë sot do të flisnim për tjetër rezultat dhe tjetër histori. Jemi koshientë dhe të flasim realisht ne na duhej rezultati maksimal patjetër, por nuk arritëm dot të administrojmë avantazhin e krijuar në pjesën e parë. Për këtë na vjen shumë keq.

Me Partizanin pas krahëve, si po shkojnë përgatitjet për ndeshjen me Vllazninë?

Unë mendoj që deri tani jemi duke punuar mirë. Kemi pasur mundësi që të rikuperojmë disa elementë të rëndësishëm, që nuk kanë qenë mirë në ditët e fundit si pasojë e virozave. Por, në përgjithësi jemi mirë. Për ne kjo ndeshje me Vllazninë është një tjetër finale, por mbi të gjitha një finale shumë e rëndësishme për ecurinë e sezonit.

Në raport me mungesat, sa do të ndikojnë ato këtë ndeshje?

Kemi një mungesë të sigurt siç është Juri, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të lejuar dhe për pasojë është jashtë ekipit për këtë takim. Balaj vijon ende të jetë i diferencuar për shkak të një dëmtimi që e vuan prej javësh. Pjesa tjetër ka treguar sinjale të mira dhe do të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Vllaznisë.

Vetëm për tri pikë në Shkodër?

Unë kam javë që e them se Skënderbeu nuk ka asnjë alternativë tjetër veç fitores në çdo ndeshje që luan nga tani e deri në fund. Do të shkojmë për tri pikët kudo edhe në Shkodër. Lufta është shumë e fortë, por unë besoj se skuadra do të dijë të bëjë maksimumin në një ndeshje të tillë.”, u shpreh Gjoka.



Read it all at Bota Sot