Broja mban peng Silvinjon, Mitaj tremb para Anglisë!

- Bota Sot

Broja mban peng Silvinjon, Mitaj tremb para Anglisë!

Përpara 4 vitesh në Londër, mbrojtës i majtë luante Lorenc Trashi, ndërkohë në epokën “Reja” atë pozicion e mbuloi edhe Elseid Hysaj për shumë ndeshje, ndërsa Balliu e niste djathtas.Pas disa ditësh, kuqezinjtë do të kthehen në “Uembli” dhe këtë herë, Hysaj nuk është rikuperuar ende dhe lajmi më i keq për Silvinjon vjen lëndimi i Mario Mitajt.

Aktualisht, zëvendësuesi i vetëm i Marios është Naser Aliji, që disa herë është preferuar dhe disa herë në vendin e tij është thirrur Andi Hadroj, edhe pse ky i fundit pozicionin natyral e ka djathtas, por mund të luajë edhe nga e majta. Sa i përket Alijit, mbrojtësi është sistemuar te Dinamo, por këtë sezon po luan si qendërmbrojtës. Një dilemë që braziliani duhet ta zgjidhë, gjithmonë duke shqyrtuar alternativat, por edhe pasi të vlerësohet gjendja e Hysajt apo e Mitajt, me këtë të fundit që ka mundësi të mos ia dalë për këto dy ndeshje.

MITAJ NË RREZIK Pasi kishte munguar në disa ndeshje radhazi, Mario rikthehet titullar mbrëmjen e së enjtes në kampionatin arab me Al Itihadin. Kur gjithçka po shkonte mirë, mbrojtësi u zëvendësua në pushim të sfidës për shkak se kishte ndjerë shqetësime. Nga sa gazeta mëson, shanset që Mitaj të zbresë në fushë për ndeshjen me Anglinë janë shumë të pakta, ndërsa Silvinjo ka filluar t’i bëjë llogaritë pa të.

BROJA, ÇËSHTJE Ndoshta nuk është momenti i duhur për t’u thirrur, por Broja ka humbur shumë kohë në Kombëtare. Sulmuesi po stërvitet me Evertonin dhe ka kaluar dëmtimin, por pritet të shihet nëse do të luajë këtë fundjavë. Silvinjo dhe stafi mjekësor janë në kontakte të vazhdueshme me doktorët e klubit anglez për të gjetur një zgjidhje dhe për të vendosur nëse Broja do të udhëtojë për në Tiranë apo është më mirë të qëndrojë te klubi i tij për të mos rrezikuar. Edhe pse ai mund të përfshihet në listë, gjendja e tij mbetet për t’u vlerësuar sërish.



Read it all at Bota Sot