Pas një fillimi viti disi të lëkundur, Interi duket se është rikthyer në formën e tij më të mirë.
Fitoret kundër Feyenoordit dhe Atalantës i kanë dhënë një shtysë të re skuadrës zikaltër, që vazhdon të luftojë në tri fronte. Për këtë situatë foli trajneri me përvojë Fabio Capello në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”:
“Sa i përket kampionatit, zikaltërit sapo kanë treguar se janë ekipi më i fortë.
E them këtë për mënyrën si vendosen në fushë, për lehtësinë me të cilën luajnë, për mënyrën se si ndihmojnë njëri-tjetrin dhe për faktin se të gjithë kontribuojnë në lojë me sakrificë dhe lëvizshmëri.
Ky ekip është i ndërtuar për të përballuar angazhimet në dy ose tri kompeticione, sepse lojtarët që hyjnë në lojë gjatë ndeshjes tregojnë dëshirë dhe përulësi”.
Në javët e mëparshme, Capello kishte vënë re një rënie fizike të Interit në pjesën e dytë të ndeshjeve, por kundër Atalantës, ekip që vrapon shumë, zikaltrit treguan se janë në gjendje optimale edhe fizikisht: “Ky është një grup që e di çfarë duhet të bëjë, e kupton detyrën që i jepet dhe e realizon në mënyrë perfekte, për më tepër me individualitete të mëdha, veçanërisht në mesfushë”.
Sipas Capellos, simboli i tre gishtave të ngritur nga Inzaghi ka një rëndësi të madhe: “Kur një trajner bën një gjest të tillë, do të thotë se është i bindur se mund t’i fitojë të tre trofetë. E di nga përvoja çfarë do të thotë kjo, Simone po e transmeton këtë bindje. Pikërisht për këtë arsye, besoj se Interi synon gjithçka”.
Për Capellon, tri garat në të cilat Interi po lufton përfaqësojnë sfida të ndryshme: “Sfida mendore është ajo në Kupën e Italisë, sfida teknike është në Champions League, ndërsa në Serie A ekziston rreziku i nënvlerësimit të ndeshjeve të fundit. Por kur trajneri flet qartë dhe bën aludime të tilla, nuk është diçka e rastësishme.
Duhet t’i besosh dhe në këtë mënyrë gjithçka bëhet më e lehtë”.