Foda me fokus te aspekti taktik, Rrudhani optimist për fitore ndaj Islandës

- Bota Sot

Foda me fokus te aspekti taktik, Rrudhani optimist për fitore ndaj Islandës

Kombëtarja e Kosovës po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e parë të “play-off” të Ligës së Kombeve ndaj Islandës, e cila zhvillohet të enjten nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në seancën stërvitore të mbajtur sot, përzgjedhësi Franco Foda ka vënë theksin te aspekti taktik, duke punuar me ekipin në vendosjen në fushë dhe organizimin e lojës në fazën defanzive dhe ofanzive. Gjatë seancës, lojtarët kanë zhvilluar ushtrime specifike për përmirësimin e qarkullimit të topit dhe krijimin e hapësirave në sulm.

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, ka vijuar përgatitjet individuale për shkak të një lëndimi të pësuar të dielën para grumbullimit të ekipit me skuadrën e Napolit. Ai ka kryer një pjesë të stërvitjes me grupin, por më pas ka stërvitur i diferencuar. Edhe mesfushori Valon Berisha, i cili ka ndier një shqetësim të vogël është stërvitur i diferencuar.

Pas stërvitjes, mesfushori Donat Rrudhani ka folur për përgatitjet dhe rëndësinë e ndeshjes së të enjtes:

“Stërvitja ishte mjaft e mirë, punuam në aspektin taktik. E kemi analizuar Islandën dhe dimë pikët e forta dhe të dobëta të tyre. Shpresojmë t’i shfrytëzojmë maksimalisht.

Synimi ynë është të fitojmë dhe të kalojmë në Ligën B. Besoj se çdo lojtar do ta japë maksimumin dhe se do të arrijmë objektivin tonë.

Paraqitja në Prishtinë është një motiv shtesë për ne. Është ndjenjë e veçantë të luajmë para tifozëve tanë, ndërsa mbështetja e ‘Dardanëve’ është gjithmonë një avantazh i madh për ne”, ka theksuar Rrudhani.

Kosova do ta zhvillojë ndeshjen kthyese ndaj Islandës më 23 mars në Murcia të Spanjës.



Read it all at Bota Sot