Arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu nga autoritetet turke është “thellësisht shqetësues”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Presidentja e KE reagoi për arrestimin e kryebashkiakut të Stambollit gjatë një konference me gazetarët. Ajo u shpreh se si një anëtare e Këshillit të Evropës dhe një kandidate për anëtarësim në BE, Turqia duhet të mbështesë vlerat demokratike, veçanërisht të drejtat e zyrtarëve të zgjedhur.
“Arrestimi i kryebashkiakut na duket thellësisht shqetësues. Si një anëtare e Këshillit të Evropës dhe një kandidate për anëtarësim në BE, Turqia duhet të mbështesë vlerat demokratike, veçanërisht të drejtat e zyrtarëve të zgjedhur. Pra, ne duam që Turqia të mbetet e përkushtuar ndaj Evropës, por kjo kërkon një angazhim të qartë ndaj rregullave dhe praktikave demokratike dhe është thelbësore që Turqia të respektojë këto parime themelore,” tha Ursula von der Leyen.
Autoritetet turke kanë arrestuar ditën e sotme rivalin kryesor të presidentit Recep Tayyip Erdogan, Ekrem Imamoglu, nën dyshimin për korrupsion dhe mbështetje të një grupi terrorist. Partia kryesore opozitare e ka cilësuar arrestimin e tij “tentim për puç kundër presidentit tonë të ardhshëm”. Arrestimi i Imamoglut kryetarit të njohur të Stambollit vjen në një kohë kur shumë figura opozitare janë ndaluar në gjithë vendin, gjë që është cilësuar nga shumë si përpjekje e politizuar për t’i heshtur kundërshtarët.
Arrestimi i Imamoglut ndodhi një ditë pasi Universiteti i Stambollit e shfuqizoi diplomën e tij, vendim i cili, nëse konfirmohet, do ta pengonte atë të garojë në zgjedhjet presidenciale. Zyra e guvernatorit të Stambollit ndaloi të gjitha tubimet dhe protestat në qytet për katër ditë.
Pavarësisht këtij vendimi në Stamboll sot kanë shpërthyer protestat, ku pjesëmarrës janë dhe studentët e Universitetit të Stambollit. Policia u përpoq të bllokonte marshimin, por mijëra protestues duke brohoritur pro-demokracisë, arritën të thyenin bllokadën e policisë. Jashtë portës kryesore, studentët u bënë thirrje studentëve të tjerë që të mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre demokratike. Policia turke ndaloi protestuesit para Shkollës Ekonomike. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa studentët deklarojnë se do të vijojnë protestat e tyre.