Sulmuesi suedez Alexander Isak, që prej tri sezonesh luan në Premier League me Newcastle, duke shkëlqyer në fushë, ka komentuar të ardhmen e tij. Isak shënoi golin e dytë në fitoren 2-1 që Newcastle arriti ndaj Liverpool në finalen e Carabao Cup, duke ndihmuar skuadrën e tij të fitojë trofeun e parë pas 70 vitesh.
“Nuk ka shumë për të thënë me të vërtetë për të ardhmen time. Unë kam komentuar disa herë situatën time dhe sigurinë time në Newcastle. Është shkruar se sa shumë e dua qytetin dhe klubin, sa mirë ndihem atje”, u shpreh Isak, që ka një kontratë deri në vitin 2028 me Newcastle.
“Unë nuk jam duke menduar për të ardhmen.
Unë thjesht dua të performoj sa më mirë për Newcastle.
Tani fituam kupën, por duam të përfundojmë fuqishëm kampionatin dhe të arrijmë të luajmë në Champions League vitin tjetër. Ky është fokusi im i vetëm”, shtoi më tej sulmuesi 25-vjeçar.
“Emocione të tilla nuk mund të përshkruhen. Unë mendoj se ju mund të imagjinoni vetëm se si ndihet. Por është një ndjenjë e pabesueshme. Wembley ishte i mbushur me të gjithë tifozët e Newcastle.
Mezi pres të shoh se si është Newcastle si qytet pas këtij trofeu, nuk jam kthyer ende”, u shpreh Isak.