Shqipëria u mposht nga Anglia me rezultatin 2-0 në “Wembley”. Goli i Ljuis-Skellit në pjesën e parë dhe i Herri Kejn në të dytën, vendosën fatin e ndeshjes.
Pas ndeshjes foli Berat Gjimshiti.
“Besoj që vuajtëm në lëvizje.
Të them të drejtën shumë shpejt pas ndeshjes të analizosh taktikën. Kam vërejtur që vuajtëm thellësinë e Bellingam, lëvizte shumë brenda linjës. E dimë të gjithë çfarë kualiteti ka. Me një lëvizje e nxjerr të gjithë mbrojtjen jashtë dhe e vuajtëm te goli i parë.
Sidomos nga minuta e 60-të, morën të gjithë lojtarët vetëbesim. Me hyrjen e Brojës, i fuste në vështirësi. Na dha motivim që mund të kapnim diçka. Si është futbolli, në momentin më të mirë erdhi goli i dytë i Anglisë dhe aty u mbyll loja.
Kemi akoma kohë. Është vetëm 1 ndeshje, Anglia favorite. Duhet të fokusohemi në ndeshjen e radhës, ta harrojmë këtë sa më shpejt dhe të mendojmë për Andorrën. Nuk ka lojëra të thjeshta dhe duhet të fokusohemi për të fituar atë ndeshje”, u shpreh Gjimshiti.