Në galerinë e Lautaros. Kështu quhet rubrika më e re që skuadra e Interit ka prezantuar ditën e djeshme në kanalet e saj zyrtare.Një intervistë e gjatë me kapitenin zikaltër, që, teksa sheh fotot më emblematike të karrierës së tij, shpjegon emocionet. Mes batutave, të qeshurave dhe lotëve, sulmuesi argjentinas premton dashuri për ekipin nga Milano dhe mbi të gjitha se do të japë jetën në fushën e lojës për të arritur objektivat. Dhe një prej objektivave është Champions League, trofeu i vetëm që i mungon me ekipin e Interit.
FIRMA- “4 korriku i vitit 2018 ka qenë një ditë shumë speciale. Transferimi në një klub si Interi ishte diçka e bukur dhe një ëndërr për mua. Kam punuar shumë në Argjentinë bashkë me familjen time për të arritur ëndrrën e transferimit në Europë. Nuk kam pasur asnjë dyshim në momentin që zikaltrit kanë shfaqur interes për mua. Për ne lojtarët nga Amerika e Jugut është një ëndërr të luash në Europë. Ndryshova vend dhe kulturë dhe të gjithë më qëndruan shumë pranë. Tifozët më kanë mbështetur nga dita e parë që kam shkelur këtu. Ndihem si në shtëpinë time. Këtu kanë lindur fëmijët e mi. Bashkëshorten e kam njohur përpara se të vija në Milano dhe jetuam bashkë në këtë aventurë. Jemi të lumtur që kemi krijuar një familje të bukur”.
GOLI- “Goli i parë me fanellën e Interit në miqësore. Më ndihmoi shumë sepse ishte miqësorja e dytë e verës, por e para e vërtetë në stadium dhe me tifozë. Më dha shumë besim dhe u tregova të gjithëve: Kam ardhur. Ishte një gjest i bukur teknik nga ana ime dhe në atë top të gjatë ishte e vetmja mënyrë për ta mbërritur. Në stërvitje kisha shënuar një gol të tillë, kështu që nuk ishte rastësi”.
SERIA A- “E kujtoj shumë mirë ulërimën e San Siros. Luaja pak në atë periudhë dhe çdo herë që aktivizohesha, doja të shënoja. Në atë sfidë e nisa si titullar, diçka që nuk e harroj. Ishte nisja e një rrugëtimi të bukur me këtë fanellë dhe me këta tifozë fantastikë. Të arrija në krye të golashënuesve të huaj të këtij klubi do të thotë shumë për mua dhe për të gjithë argjentinasit”.
NAPOLI– “Ishte një ndeshje e rëndësishme për ne dhe shënova në minutën e 90-të. Kujtoj sikur të ishte dje sepse po kalonim një periudhë të vështirë si skuadër. Ishte një nga golat më me peshë që kam shënuar. Nga festimet theva edhe flamurin e këndit sepse nuk po shënoja dot në atë periudhë”.
DERBI- “Nuk e harroj kurrë derbin e parë sepse do të thotë shumë. Luanim në transfertë. Për skuadrën nuk ishte një ndeshje e lehtë dhe në atë moment doli shpirti i skuadrës. Luajtëm ashtu siç duhet nga minuta e parë. Dhashë një asist për Vecionin në prekjen e parë, pastaj shënova me penallti. Doja ta godisja dhe ishte diçka e bukur. Të shënosh është gjithmonë bukur, por në derbi ka një tjetër peshë dhe specifikë. Në Argjentinë dhe në Itali derbet përjetohen shumë. Stadiumet janë të nxehta dhe plot”.
“CAMP NOU”- “Sapo kishte nisur ndeshja dhe ishim përgatitur shumë mirë. Në pjesën e parë ishim bërë një imazh të mirë si në aspektin sulmues, edhe atë mbrojtës. Meritonim më shumë sesa një gol. Kur shënova, ishte diçka e jashtëzakonshme”.
FAMILJA- “Im atë më ka transmetuar pasionin për futbollin. Gjyshja ime ka qenë futbollistja e parë në Bahia Blanka. Unë vij nga një familje sportistësh. Ky ka qenë sekreti im. Ajo që më ka lidhur gjithmonë me gjyshen time ishte fakti që më shoqëronte gjithmonë në ndeshje”.
GOLA TITULLI– “Pasi fituam derbin ndaj Milanit, e kuptuam që do të ishte titulli ynë edhe sepse luanim një futboll special. Mbroheshim mirë dhe merreshim vesh me njëri-tjetrin me symbyllur. Ishte një fitore e rëndësishme për fundin e sezonit. Është një moment që do të qëndrojë gjatë në memorien time sepse u fitua në periudhën e COVID-it. Punuam shumë dhe ia dolëm”.
FESTA E TITULLIT– “Foto me kupën në duar do të qëndrojë gjatë në zemrën time sepse ishte trofeu i parë me Interin si profesionist. Për më tepër skuadra kishte disa vite që nuk fitonte trofe. Nuk mund të mos e fitonim atë titull. Skuadra ishte, puna ishte, impenjimi po ashtu. Në fund donim që ta mbyllnim sa më mirë. Jam krenar që edhe unë dhashë kontribut. Pas atij sezoni mora shumë oferta, por doja të qëndroja në skuadër për të fituar me Interin. Këtu ndihem si në shtëpi sepse familja ime është e dashuruar me Milanon. I detyrohem shumë kësaj skuadre. Unë e pashë projektin dhe u binda që do të bënim gjëra të mëdha së bashku”.
FESTAT– “Hera-herës bëjmë ndonjë skarë në qendrën stërvitore. Sepse kjo tregon se grupi është bashkë. Kam nisur unë që ta bëj i pari këtë gjë, por me lejen e dietologut dhe të trajnerit. Janë momente pas stërvitjeve ku relaksohemi dhe bëjmë ndonjë batutë. Më pëlqen që të qëndroj me shokët e skuadrës. Është një traditë që ne argjentinasit e bëjmë shpesh. Edhe në të shkuarën ishte Zaneti me Kambiason që kujdeseshin për këtë pjesë”.
LOTËT- “Në majin e vitit 2022 ishim shumë afër për të fituar një tjetër titull kampion. Zhgënjimi ishte i madh. Të gjithë e dimë për kë ndeshje po flas. Në fund e humbëm atë titull dhe ishte një goditje e madhe për mua që besoja në projektin e Interit. Por pastaj u ringritëm dhe besuam sërish. Kur arbitri vërshëlleu fundin e asaj sfide, njerëzit qëndronin në stadium Aty u përlota”.
KAMPION BOTE– “Çfarë mund të them për këtë moment. Kur u ktheva në “San Siro”, njerëzit e mi më duartrokitën. Të fitosh Botërorin, është diçka speciale. Ishte e bukur, por edhe e vështirë. Unë kam luajtur me kaviljen e copëtuar. Bëja gjilpëra çdo ditë për të mos pasur humbje. Në fundin e sezonit dhe në finalen e Champions-it kam qenë i dëmtuar, por nuk doja të operohesha. Ishte një vendim i vështirë. Tani më vjen të qaj sepse kam dhënë gjithçka për Interin. Ndonjëherë këto gjëra nuk duken në televizor (qan). Por unë kështu jam. Kur zbres në fushë jap gjithçka dhe nuk di të kursehem. Nuk mund të lija Interin në fundin e sezonit pa sulmues. Fakti që humba Botërorin e Rusisë ishte një goditje e madhe, por edhe në Katar shkova me probleme fizike”.
EURODERBI– “Në ndeshjen e parë shënuam 2 gola shumë të shpejtë dhe patëm qasjen e duhur për ndeshjen. Nuk e lamë Milanin të dilte në lojë. Në sfidën e ardhshme duhet që të luanim po ashtu. Goli im ishte një nga më të rëndësishmit. Në atë javë kam dalë nga shtëpia vetëm një herë”.
KUPA- “Ndeshjen kundër Fiorentinës e nisëm shumë keq, por pas 15 minutash ia dolëm që të përmbysnim atë situatë dhe për të fituar Kupën e Italisë ndaj Fiorentinës. 100 golat me Interin në finale ishin diçka e jashtëzakonshme”.
SHIRITI– “Është diçka e rëndësishme, për më tepër në një klub historik si Interi që ka pasur gjithmonë kapitenë të mëdhenj. E dija prej muajsh që do të bëhesha unë kapiteni, por kur e vendosa shiritin provova emocione dhe krenari”.
SALERNITANA– “E kujtoj shumë mirë. Në atë javë kishim 3 ndeshje. Një ditë më parë trajneri më tha që do të qëndroja në stol. Unë dua që të luaj gjithmonë dhe u nervozova. U futa 27 minuta nga fundi dhe shënova 4 gola, diçka që nuk e ka bërë asnjë në Itali”.
YLLI I DYTË- “Unë që festoj mbi traversën e portës. Nuk kam shumë fjalë për të thënë. E bëra edhe në Botëror. Kjo ndeshje do të mbahet mend përjetë. Kam bërë një fjalim përpara skuadrës në dhomat e zhveshjes. Ishte një nga më të rëndësishmet për ne dhe për atë që përfaqëson. Shkruam një faqe të bukur të historisë së këtij klubi, pikërisht si më 22 marsin e vitit 2010”.
FESTA– “Bënim shaka dhe batuta sepse na u desh shumë kohë për të mbërritur në sheshin kryesor. Kam foto dhe video të çmendura. Inzagi më ka premtuar gjëra që i ka mbajtur. E falënderoj shumë. Rritjen time si lojtar ia dedikoj edhe atij. Trajneri punon me buzëqeshje dhe ky është një avantazh për të gjithë”.
MILITO- “Është një person special për mua. Në Rasing 2014 unë dola nga fusha e lojës për të zëvendësuar atë. Për mua ai ka qenë si një vëlla i madh. Kam debutuar me Rasingun për të marrë vendin e tij. Ai ishte një legjendë e klubit”.
TELAJO E BARDHË- “Shpresoj që të vazhdoj të fitoj trofe me Interin, specifikisht atë që më mungon. Kemi qenë pranë Champions-it në finalen e Stambollit, por nuk ia dolëm. Shpresoj që ky të jetë viti i duhur. Siç e thashë, unë jap gjithmonë jetën për të arritur trofetë dhe objektivat”.