Media franceze: Vuçiq sundon duke printuar para dhe duke shitur pasurinë kombëtare

- Bota Sot

Media franceze: Vuçiq sundon duke printuar para dhe duke shitur pasurinë kombëtare

Në një analizë të gjerë të publikuar në portalin e njohur francez ‘La Vie des Idées’, gazetari dhe analisti Jean-Arnault Derens përshkruan mënyrën se si presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërton dhe ruan pushtetin e tij: përmes shtypjes së parave pa mbulim, shitjes së pasurive kombëtare dhe një korrupsioni të thellë sistemik – gjithmonë me mbështetjen e heshtur të Bashkimit Evropian.

Sipas medias franceze, ndërsa Perëndimi flet për demokraci, Serbia po rrëshqet drejt një “stabilokracie” – një regjim autoritar që garanton qetësinë për aq kohë sa heshtet për gjendjen e të drejtave të njeriut, lirinë e mediave dhe kapjen e institucioneve. Vuçiq, siç theksohet, kombinon populizmin ekonomik me kontrollin total të institucioneve shtetërore, duke përdorur grupe të ekstremit të djathtë si “opozitë e kontrolluar” dhe “përbindësha për frikësim”, si për opinionin e brendshëm ashtu edhe për atë ndërkombëtar.

Artikulli thekson se modeli ekonomik i Serbisë nuk bazohet në rritje reale, por në shtypjen e parave dhe shitjen masive të pasurive natyrore – bakri kompanive kineze dhe litiumi gjigantit ndërkombëtar Rio Tinto. Të gjitha këto zhvillohen në një sistem politik ku pushteti kontrollon tenderët publikë, komunat lokale, sistemin gjyqësor dhe mediat.

Autori francez kujton se Vuçiq është formuar politikisht në Partinë Radikale Serbe me orientim ekstremist, ka qenë ministër i informimit gjatë luftës në Kosovë, dhe sot luan me mjeshtëri ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, duke ruajtur lidhje të afërta me Putinin, Xi Jinpingun, por edhe me liderët e BE-së si Macron dhe Meloni.

“Blerja e 12 avionëve francezë Rafale në gusht 2024 është bërë simbol politik – sepse një blerës i Rafale-ve nuk mund të jetë një njeri i keq”, shkruan autori me ironi, duke nxjerrë në pah realitetin e interesave të fuqive të mëdha dhe tolerimin e regjimeve autoritare në Ballkan.

Edhe pse Serbia formalisht është kandidate për anëtarësim në BE, sipas medias franceze, ky proces ka hyrë prej kohësh në një zonë të errët. Vuçiq e përdor këtë status për të konsoliduar pushtetin e tij, ndërsa BE-ja kënaqet me “stabilitetin” – për aq kohë sa nuk ka konflikte të hapura.

Duke u ndalur edhe te protestat aktuale dhe asambletë studentore në Serbi, autori thekson se në vend po lind një formë e re rezistence që refuzon ndarjet klasike të majtë-djathtë dhe kërkon demokraci të vërtetë, drejtësi dhe integritet moral.



Read it all at Bota Sot