Presidenti francez ka njoftuar se një samit mbi çështjen e Ukrainës do të mbahet javën e ardhshme, në Paris.
“Të enjten e ardhshme do të mbajmë një samit të koalicionit të vullnetit në Paris, në prezencën e presidentit Zelenskyy. Do të finalizojmë punën tonë për mbështetjen afatshkurtër për ushtrinë ukrainase”, deklaroi Macron, pas ditës së parë të samitit të Këshillit Evropian, në Bruksel.
Macron përsëriti fokusin e tyre në strategjinë e mbrojtjes së Ukrainës dhe garancitë evropiane të sigurisë, duke ripohuar se vetëm kur Rusia dhe Ukraina angazhohen për një armëpushim të qëndrueshëm, ata do të diskutojnë për garancitë e sigurisë, raporton AA.
“Është legjitime për Ukrainën, si një komb sovran, të definojë se çfarë është e nevojshme për të garantuar sigurinë e saj. Ne do të vazhdojmë në mënyrë të rregullt dhe nuk do t’i përshtatemi kërkesave apo provokimeve të tepruara”, nënvizoi ai.
Macron po ashtu tha se Evropa “operacionalizoi” vendimet e saj të mbrojtjes “me strategjinë e riarmatimit të vetvetes”.
“Tani kemi një strategji të plotë si të riarmatosim Evropën – që është, të ripajisemi dhe të rifitojmë plotësisht pavarësinë tonë brenda pesë viteve të ardhshme. Duhet të riarmatosemi, të bëhemi më të pavarur, të mbrojmë kufijtë tanë dhe të ruajmë lagjen tonë”, shtoi ai.
Macron njoftoi se ata gjithashtu diskutuan përgatitjet e buxhetit të ardhshëm për të përballur sfidat në mbrojtje, për inteligjencën artificiale, teknologjinë dhe tranzicionin klimatik.
“Jemi në fund të një periudhe kur kemi përfituar nga ‘dividendi i paqes’ kur mund të përballojmë të neglizhojmë investimet në mbrojtje, duke supozuar se tregtia ‘do t’i zgjidhë konfliktet globale’”, tha ai, duke nënvizuar se të gjitha siguritë me të cilat jetonte dikur Evropa, tashmë janë lëkundur.