Gaz lotsjellës dhe plumba gome: Shpërthejnë protestat në Stamboll

- Bota Sot

Gaz lotsjellës dhe plumba gome: Shpërthejnë protestat në Stamboll

Për të pestën natë radhazi, qindra mijëra qytetarë mbushën rrugët e Stambollit për të protestuar kundër arrestimit të Ekrem Imamoglu, kryetarit të bashkisë dhe rivalit kryesor politik të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.

Imamoglu u ndalua të mërkurën dhe u arrestua zyrtarisht të dielën me akuza për korrupsion dhe drejtim të një organizate kriminale. Protestat shpërthyen menjëherë pas lajmit, pavarësisht ndalimit zyrtar të tubimeve publike në Stamboll. Policia përdori gaz lotsjellës, spray piperi dhe plumba gome për të shpërndarë turmat pranë bashkisë së qytetit.

Atmosferë e tensionuar në rrugë

Atmosfera ne rrugë ka qenë relativisht paqësore, por këto janë protestat më të mëdha që Turqia ka parë në më shumë se një dekadë. Protestuesit, të shumtë me maska, ishin të kujdesshëm për të mos u identifikuar, nga frika e ndëshkimit.

Autoritetet turke e akuzojnë Imamoglu-n për drejtim organizate kriminale, marrje rryshfeti, zhvatje, përpunim të paligjshëm të të dhënave personale dhe manipulim të tenderëve publikë. Një kërkesë për ta akuzuar edhe për terrorizëm u refuzua. Ai është transferuar në burgun Silivri, në perëndim të Stambollit.

Në një reagim të fortë në rrjetet sociale, Imamoglu i quajti akuzat “të pabesueshme dhe shpifje të pastra”, duke shtuar: “Ky është një moment vendimtar. Kombi do t’i japë administratës një shuplakë që s’do ta harrojë kurrë.”

Shumë e shohin arrestimin e tij si një manovër politike për ta përjashtuar nga gara presidenciale e vitit 2028, ku ai shihej si kandidati më i fortë i opozitës.

Reagimi i opozitës dhe qytetarëve

Partia opozitare CHP, e cila ka nisur një proces zgjedhor për ta emëruar Imamoglu-n si kandidatin presidencial, ka ngritur edhe kuti solidariteti për të mbledhur mbështetje. Sipas tyre, mbi 13 milionë qytetarë kanë shprehur mbështetjen deri më tani.

Megjithëse protestat kanë qenë kryesisht paqësore, përleshje me policinë janë regjistruar në Stamboll, Ankara dhe Izmir. Protestuesit kanë përdorur gurë dhe fishekzjarre, ndërsa policia ka reaguar me topa uji, gaz lotsjellës dhe arrestime. Ministri i Brendshëm turk deklaroi se 323 persona janë ndaluar vetëm të shtunën në mbrëmje.



Read it all at Bota Sot