Manaj theu “mallkimin” Cikalleshi/ Prej 11 ndeshjesh, asnjë sulmues “9” nuk kishte…

- Bota Sot

Manaj theu “mallkimin” Cikalleshi/ Prej 11 ndeshjesh, asnjë sulmues “9” nuk kishte…

Me dopietën kundër Andorës, Rei Manaj ka thyer një “mallkim” që përndiqte prej 2 vitesh Kombëtaren shqiptare. Më saktë, prej 11 ndeshjesh zyrtare. Në mënyrë metaforike mund ta quajmë mallkimi “Cikalleshi”, sepse sulmuesi kavajas ishte lojtari i fundit (në rolin e numrit 9, ose pykë siç quhet në gjuhën e futbollit) që kishte realizuar me fanellën kuqezi.

Nga atëherë, Shqipëria ka arritur të realizojë disa gola, por ata kanë ardhur nga lojtarët e krahëve, mesfushorët apo mbrojtësit. Sa për saktësi, Manaj ka shënuar në miqësoren ndaj Azerbajxhanit, por jemi duke folur për ndeshjet zyrtare. Tani, 28- vjeçari shpreson që të mos ndalet më dhe t’i afrohet sa më shumë Bogdanit.

“Mallkimi”- Që Kombëtarja shqiptare vuan për një bomber të mirëfilltë, kjo është e dukshme dhe faktet e konfirmojnë. Erjon Bogdani është tërhequr nga futbolli dhe ekipi kuqezi shumë vite më parë, por vazhdon ende që të jetë ai golashënuesi më i mirë i historisë me 18 gola të shënuar. Të tjerët që kanë provuar, dhe lista është e gjatë, nuk i janë afruar dot për ta rrëzuar nga froni.

Kjo shpjegohet edhe me ecurinë negative të sulmuesve kryesorë në 11 ndeshjet e fundit zyrtare. Sokol Cikalleshi shënoi me penallti ndaj Moldavisë, në barazimin që solli kualifikimin e skuadrës së Silvinjos në kampionatin Europian të Gjermanisë, por prej aty shumë tentativa të gabuara.

Nga ajo sfidë deri përpara Andorrës në total janë shënuar 7 gola, por asnjë nga lojtarët që kanë pasur rolin kryesor në repartin e avancuar. Për ata që besojnë në besëtytni, ndoshta ka qenë një mallkim i Cikalleshit, i cili humbi vendin në Europian, pavarësisht kontributit të jashtëzakonshëm që dha në ato eliminatore dhe për Kombëtaren.

Sigurisht që sulmuesi është dashamirës me kolegët e tij dhe një nga ata që i ka mbështetur gjithmonë dhe ndoshta është lumturuar sa herë ata shënojnë, por ecuria negative e tyre është një rastësi e lidhur ngushtë me këtë moment. Ndoshta, ndoshta është rastësi. Rei Manaj e theu dhe arriti që me dopietën e tij të udhëhiqte formacionin kuqezi në fitoren e parë në eliminatoret e Botërorit të Amerikës.

SULMUESIT- Nga periudha kur shënoi Cikalleshi kundër Moldavisë, Silvinjo ka provuar disa futbollistë në rolin e numrit 9, por asnjëri deri përpara sfidës me Andorrën nuk ia kishte dalë. Kundër Ishujve Faroe luajti Mirlind Daku, pastaj në Europian Manaj dhe Broja ndanë minutat, pa gjetur rrugën e rrjetës.

Aty golat i shënuan Bajrami, Laçi dhe Gjasula. Në Ligën e Kombeve luajtën me radhë: Manaj, Daku dhe Tuci. Askush prej tyre nuk gjeti dot rrjetën. Uzuni në Angli bëri rolin e 9 fals, por ajo ishte një ndeshje tmerrësisht e vështirë.



Read it all at Bota Sot