Pepe, ish-mbrojtësi i Real Madridit, ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetën “AS”. Ish-qendërmbrojtësi portugez foli për derbin mes Atletico Madridit dhe Real Madridit në Champions League, një sfidë që “Los Blancos” e fituan pas goditjeve të penalltive:
“Kam vuajtur shumë, por gjëja më e rëndësishme ishte fitorja e Real Madridit. Kur kjo skuadër hyn në një kompeticion, gjithmonë e bën për të fituar. Lojtarët dhanë gjithçka në ato dy ndeshje. Atletico ishte një ekip i vështirë, por Reali e kaloi dhe tani duhet të përgatitet mirë për ndeshjet e ardhshme”.
Portugezi nënvizoi momentin që po kalojnë “Los Blancos”: “Është një Champions i re, por Real Madridi nuk mund të quhet kurrë i mposhtur.
Do të luftojë deri në minutën e fundit. Gjëja më e rëndësishme për Real Madridin është të arrijë në këtë fazë të sezonit në formën që është tani, duke garuar për të tre trofetë. Skuadra e Ancelottit është e mirë, ende në lojë për të tria kompeticionet. Real Madridi do të luftojë gjithmonë deri në sekondën e fundit për gjithçka”.
Pepe foli edhe për ish-shokët e tij të ekipit, përfshirë Luka Modric:
“Ka përjashtime, shikojini të dy (duke iu referuar edhe Cristiano Ronaldos). Modric është në një nivel të pabesueshëm, me gjithë presionin që ekziston te Real Madridi. Klubi e ndihmon shumë, edhe trajneri është shumë i rëndësishëm. Edhe Cristiano, i cili i ka dhënë kaq shumë futbollit, vazhdon të jetë në një nivel po aq të lartë”.
I pyetur nëse do të rikthehej te Real Madridi, duke pasur parasysh krizën e mbrojtësve që po kalon klubi, Pepe u përgjigj: “Jo, jo. Real Madridi është një skuadër që në momentet e vështira gjithmonë gjen zgjidhje. Tani doli në skenë Asensio dhe ishte një gjë e mirë për të gjithë; për ekipin, për klubin dhe madje kombëtaren spanjolle. Po bën një punë të mirë në rolin e tij”.