Danilo: Te Real Madridi i vuajta shumë

- Bota Sot

Danilo: Te Real Madridi i vuajta shumë

Ish-mbrojtësi i Juventusit, Danilo Luiz da Silva, ka dhënë një intervistë për “The Guardian”, ku është ndalur te periudha e tij me Real Madridin. Me sinqeritetin e tij të zakonshëm, braziliani pranoi se kritikat ishin një faktor kyç që ndikuan në largimin e tij nga “Los Blancos”:

"Real Madridi ishte pika kulmore e këtij problemi, sepse është klubi më i madh në botë. Vuajta aq shumë, saqë u detyrova të kërkoja ndihmë psikologjike. Kishte momente kur më dukej sikur nuk e dija më si të luaja futboll".

Më pas, ai shtoi: "Kritikat më lënduan shumë. U përfshiva plotësisht nga ato, si në rrjetet sociale, ashtu edhe kudo tjetër. Ishte në atë moment kur vendosa të punoja me një psikolog sportiv".

Danilo zbuloi gjithashtu se ishte bashkëkombësi i tij, Lucas Silva, i cili kishte pasur një eksperiencë të shkurtër te Real Madridi, që i rekomandoi të kërkonte ndihmë profesionale.

Duke folur për eksperiencën e tij me Pep Guardiolën te Manchester City, braziliani e vlerësoi maksimalisht trajnerin katalanas: "Pep i edukon lojtarët e tij. Kjo është pjesa më e rëndësishme e punës së tij.

Ai i bën të gjithë të mendojnë për futbollin në të njëjtën mënyrë: kohë, hapësirë, lëvizje, posedim, kujdes për topin. Më mësoi shumë dhe më dha një nivel të madh respekti, por në mënyrë pozitive. Ai m’i bëri ‘lavazh trurit’. Puna me të me vlejti si të isha në universitet".

 

Danilo shtoi se puna me Guardiolën e ndihmoi ta ngrinte dhe ta mbante nivelin e tij të lojës deri më sot: "Nuk është se isha idiot para se të shkoja te Manchester City, por kuptova se po luaja futboll në një mënyrë krejtësisht të gabuar. Nëse do ta kisha njohur Pep më herët, do ta kisha pasur jetën shumë më të lehtë".

Në janar, Danilo u largua nga Juventusi për t’u rikthyer në Brazil dhe bashkuar me Flamengon: "Një nga objektivat e mia ishte të afrohesha më shumë me popullin brazilian, me tifozët. Kjo mund të më ndihmojë që të forcoj rolin tim në kombëtaren braziliane".

Danilo përmendi edhe rastin e Filipe Luis, ish-mbrojtësit që u bë trajner menjëherë pas tërheqjes nga futbolli: "Ai e la futbollin në dhjetor dhe në shkurt ishte trajner i ekipit U-17 të Flamengos. E telefonova dhe i thashë: Je i çmendur. Ai m’u përgjigj se nuk e dinte që trajnerët punonin kaq shumë".

Duke folur për planet e tij pas karrierës si futbollist, Danilo mohoi mundësinë për t’u bërë trajner: "Unë trajner? Për momentin nuk ka asnjë shans. Futbolli ende ka shumë për të më dhënë, por kur të tërhiqem do të duhet të hap një kapitull të ri në jetën time.

Dua të regjistrohem në universitet, të studioj psikologji dhe komunikim. Jeta është e paparashikueshme, e kam mësuar veten të ndryshoj mendje, por sot për sot përgjigja ime për të qenë trajner është: e pamundur".



Read it all at Bota Sot