Një nëndetëse me 6.5 ton kokainë në bord është kapur nga autoritetet në brigjet e Portugalisë.
Nga operacioni i koduar “Nautilus”, u bë e mundur kapja e mjetit lundrues që ishte nisur nga Amerika e Jugut dhe ishte i pajisur me teknologji të avancuar.
Sipas autoriteteve lokale, mjeti lundrues dyshohet se i përket Primeiro Comando da Capital, grupit kriminal brazilian më të dhunshëm dhe ndër më të fuqishmit në Amerikën Latine, prania e të cilit në Portugali është rritur ndjeshëm në vitet e fundit.
Ende nuk është e qartë nëse destinacioni i tyre ishte porti i Sinesit, në Portugalinë kontinentale, ose nëse ata kishin si objektiv shpërndarjen e lëndës narkotike në sasi më të vogla në mes të detit dhe më pas vazhdimin e udhëtimit në Evropë.
Pesë anëtarët e ekuipazhit, tashmë të arrestuar, janë shtetas brazilianë, kolumbianë dhe spanjollë, të cilët janë marrë në pyetje nga hetuesit.
Pak kohë më parë, policia portugeze arrestoi trafikantin brazilian Gabriel Martinez Sousa, i dyshuar se kontrollonte, ndër të tjera, një rrjet palombarësh që rikuperonin drogën nga skafet dhe anijet në det të hapur.