Flick iu gëzohet +3 pikëve

- Bota Sot

Flick iu gëzohet +3 pikëve

Hansi Flick u largua me një shije të hidhur pas fitores së Barcelonës, 3-0 ndaj Osasunës. Skuadra katalanase luajti shumë mirë dhe fitoi, por humbi Dani Olmon për shkak të një dëmtimi, diçka që e shqetësoi trajnerin gjerman:

“Jam shumë krenar për lojtarët e mi. Situata nuk ishte aspak e lehtë, nuk ishte data më e mirë për të luajtur, por tani kemi tri pikë më shumë. E kemi paguar faktin që luajtëm sot me dëmtimin e Olmos, largohem me një shije të hidhur.

Nuk e dimë sa kohë do të jetë jashtë, por duke parë kalendarin, dy javë do të ishin shumë, nuk është aspak gjë e mirë”.

Gjermani u ankua për kalendarin dhe mënyrën se si po menaxhohet futbolli: “Mendoj se duhet t’i dëgjojmë lojtarët dhe trajnerët. Në verë do të luhet Kupa e Botës për Klube dhe do të jetë shumë e vështirë. Nuk mendoj se është diçka e mirë.

Mund të fitosh shumë para, por për lojtarët është tejet e lodhshme. Duhet të ndalemi pak për të mirën e tyre. Tifozët duan që të jepet 100% dhe të shohin spektakël. Kur ndodhin gjëra të tilla, nuk arrijmë nivelin që mund të arrinim. Nuk jam i vetmi që e mendoj këtë”.

Barça mori tri pikë të rëndësishme për të mbetur në krye të renditjes së La Liga-s, vetëm tri pikë larg Real Madridit. Flick e vlerësoi shumë formën e mirë të katalanasve në këto muaj të fundit të sezonit: “Jemi shumë mirë. Tri pikë përpara, me një diferencë të lartë golash…, por ende mbeten 10 ndeshje për t’u luajtur. Jemi në një moment të shkëlqyer”.

Një nga emrat më të spikatur të ndeshjes ishte Gavi. Ai hyri në lojë pas dëmtimit të Olmos si mesfushor ofensiv, por në pjesën e dytë u tërhoq më thellë në mesfushë. Në fund, ai përfundoi si kapiten i ekipit dhe dhuroi një moment shumë të bukur, kur Pedri i dha shiritin.

“Për Gavi, shiriti i kapitenit ka një rëndësi të madhe. Sot bëri një ndeshje të shkëlqyer. Jam shumë krenar për të, nuk e ka pasur aspak të lehtë. Pas dëmtimit të tij, luajti disa ndeshje, por tani ishte më shumë në stol. Megjithatë, gjithmonë është i përqendruar te detyrat e tij”, – tha Flick me dashamirësi.

Gjithashtu, disa lojtarë që nuk luajnë rregullisht, si Pablo Torre, Fermín dhe Pau Víctor, morën minuta, diçka që e gëzoi shumë trajnerin gjerman: “Duket që e shijojnë lojën. Është e rëndësishme për ta, japin gjithçka në stërvitje.

Është shumë e rëndësishme që lojtarë me më pak minuta të kenë luajtur sot dhe e bënë shumë mirë. Për shembull, Ferran e nisi titullar, fola me të në mëngjes dhe gjatë ndeshjes pamë gjithçka për të cilën kishim folur. Të gjithë janë shumë të përqendruar”.



Read it all at Bota Sot