Dy persona janë arrestuar në Rahovec për posedim të lëndëve narkotike, pasi janë ndaluar gjatë një patrullimi rutinë nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 12:00, gjatë kontrollit të automjetit të dy të dyshuarve, janë gjetur nëntë qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe dy “grinder” për bluarjen e saj.
Personat e arrestuar, shtetasit kosovarë A.D. dhe S.H., dyshohen për kryerjen e veprës penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.