Lautaro Martinez: Lider nuk bëhesh, por lind i tillë…

- Bota Sot

Lautaro Martinez: Lider nuk bëhesh, por lind i tillë…

Kapiteni i Interit, Lautaro Martinez, ka dhënë një intervistë për mikrofonët e DAZN, ku ka folur për ndjesitë e tij përpara Botërorit të Klubeve, në të cilin zikaltrit do të marrin pjesë (në SHBA), nga 13 qershori deri më 13 korrik të këtij viti.

Këto ishin fjalët e tij: “Është shumë emocionuese të luash në një Botëror si ky. Do të jetë shumë bukur, diçka vërtet speciale, pasi është hera e parë që luhet ky turne. Jam i lumtur, i kënaqur dhe i emocionuar për atë që do të vijë. Ajo që e bën këtë kompeticion edhe më emocionues është fakti që do të ketë skuadra nga të gjitha kontinentet, nga pjesë të ndryshme të botës.

Besoj se tifozët do të kenë një rol të rëndësishëm, pasi do të ketë shumë kultura të ndryshme, mënyra të ndryshme për t’u afruar me futbollin dhe për t’i mbështetur skuadrat. Do të jetë shumë bukur. Më pëlqen kur ka shumë njerëz. Sa më e vështirë të jetë, aq më shumë motivohesh, kjo është një gjë e rëndësishme”.

Më pas, argjentinasi theksoi ambiciet e skuadrës së Inzaghi: “Shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë për ne, duhet të argëtohemi dhe të japim maksimumin për Interin. Kam folur gjithmonë me babain tim, i cili më thotë: një lider nuk bëhet, por lind i tillë.

Duhet t’i kemi të gjithë në dispozicion, grupi është më i rëndësishëm se individi. E rëndësishme është që lideri gjithmonë të ketë një fjalë pozitive, një sjellje shembullore, natyrisht, dhe që shokët e ekipit ta ndjekin. Interi ka një histori shumë të madhe, është një klub i madh, ndaj duhet të synojmë gjithmonë sa më lart të jetë e mundur.

E dimë që mund të ketë momente të vështira, ka kundërshtarë që duhet t’i kalojmë. Disa herë do të kemi pengesa, por ajo që ka rëndësi është të bëjmë më të mirën për Interin dhe ta çojmë atë sa më përpara në çdo kompeticion ku luan”.

Në fund, “Toro” foli çfarë do të thotë për të klubi ku luan: “Interi identifikohet shumë me pasionin. Për mua, kjo është fjala që e përfaqëson më së miri Interin: pasioni. Çdo lojtar, në çdo pozicion, pasioni është fjala e parë që të vjen në mendje. Për fanellën, për klubin, për këtë stemë. Tifozët na e tregojnë këtë çdo fundjavë në Itali, besoj se do ta tregojnë edhe në SHBA”.



Read it all at Bota Sot