REL gjen dëshmi të reja për bazën e dyshuar bërthamore ruse në Bjellorusi

- Bota Sot

REL gjen dëshmi të reja për bazën e dyshuar bërthamore ruse në Bjellorusi

Një foto në dukje e padëmshme, e publikuar online në muajin shtator, është një copëz e vogël e mozaikut të të dhënave që ka gjetur Shërbimi bjellorus i Radios Evropa e Lirë për një bazë të armëve sekrete bërthamore të Rusisë në Bjellorusi.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe lideri autoritar, Aleksandr Lukashenko, kanë folur publikisht për zhvendosjen e armëve bërthamore ruse në Bjellorusi, pa treguar se ku do të ruhen raketat.

Fotografia, e shkrepur në bazën e municioneve 1405 në qendër të Bjellorusisë, mund të ketë zbuluar njërin prej lokacioneve.

Në të shihet komandanti i njësisë, koloneli Valery Kuzmin duke uruar njeriun e tij në festë.

Në një mur mbrapa tij, një monitor digjital shfaq nivelin e rrezatimit të matur në bazë, pavarësisht se është më shumë se 100 kilometra prej stacionit më të afërt bërthamor.

Pajisja është e listuar në katalogun e produkteve të kompanisë bjelloruse Atomex, si sinjalizuesi AT2327, me një panel informacioni që përdoret për monitorim të “ambientit të rrezatimit”.

Pajisje të tilla besohet se përdoren vetëm në Brigadën e 8-të për Siguri të Rrezatimit dhe Mbrojtje Biologjike dhe Kimike, si dhe nga njësiti ushtarak 7434, i cili ruan stacionin bërthamor Astravetskaja.

Radio Evropa e Lirë ka zbuluar të dhëna për masa të shtuara të sigurisë afër bazës 1405. Dokumentet tregojnë për një qendër që ruan profilaksinë e jodit – masë mbrojtëse në rast të ndonjë aksidenti në qendrën bërthamore.

Ajo përmendet në një aneks të dokumentacionit për një linjë të re hekurudhore që lidh bazën me një qendër tjetër – bazën e afërt ushtarake Asipoviçi – e cila besohet se do të jetë qendër potenciale për të ruajtur kokat bërthamore ruse.

Ligji bjellorus kërkon që qendrat e profilaksisë së jodit të jenë brenda 100 kilometrave të stacionit bërthamor apo të qendrës Çernobil.

Qendra 1405 nuk hyn në asnjërën kategori.

Qendra Asipoviçi është identifikuar si qendër potenciale për ruajtje të armëve bërthamore nga Federatat e Shkencetarëve Amerikanë më 2023. New York Times ka shkruar për këtë qendër në maj të vitit të kaluar.

Ndërtimi për linjën hekurudhore ka nisur në fund të verës.

Imazhet satelitore të nxjerra nga Planet Labs më 24 shkurt tregojnë se si është pastruar një zonë pyjore, që kanë nisur gërmimet dhe kanë nisur të vendosen themelet në bazë.

Dokumentacioni që ka të bëjë me projektin është siguruar nga Radio Evropa e Lirë përmes Belpolit - një grup i ish-zyrtarëve bjellorusë të sigurisë që tani punojnë kundër regjimit.

Në të ka hollësi për projektin, përfshirë ndërtimin e dhomave të rojeve dhe përmendet që shpenzimet prej 10 milionë dollarëve do të financohen nga Ministria e Mbrojtjes.

Radio Evropa e Lirë e ka edhe një fotografi të bërë së fundmi të qendrës Asipoviçi që tregon se punimet janë përshpejtuar në verën e kaluar.

Aty përfshihet ndërtimi dhe rinovimi i barakave, i magazinave për ruajtje të armëve dhe hangarë të rinj për raketat ruse Iskander, që mund të bartin koka konvencionale apo bërthamore.

Lukashenko ka bërë të ditur se ka pranuar dy njësi të raketave Iskander në shkurt të vitit 2024. Me një rreze prej 500 kilometrash, raketat e nisura nga Asipoviçi mund të godasin Letoninë, Lituaninë, Poloninë dhe Ukrainën.

Secila njësi duhet të ketë ambiente magazinimi për 24 pajisje, tetë prej të cilave për t’i bartur raketat.

Më 2023, imazhet satelitore kanë treguar se njëra ndërtesë është përfunduar, dhe themelet janë vendosur për dy të tjera. Imazhet e reja të shkurtit tregojnë se të gjitha ndërtesat janë kompletuar.

Edhe ndërtesat tjera shihen në fotografitë e bëra së fundmi. Aty ka blloqe banesash dhe një stadium sporti.

Më 14 mars, autoritetet lokale kanë raportuar se çelësat e 72 banesave të një ndërtese i janë dorëzuar ushtrisë.

Siç është raportuar “përfaqësuesit e njësiteve ushtarake të garnizonit Asipoviçi do të jetojnë në ndërtesë”.

Radio Evropa e Lirë e ka siguruar edhe një pamje tjetër satelitore të bazës së municioneve 1405. New York Times e ka identifikuar në maj të vitit 2024 si qendër potenciale për ruajtje të kokave bërthamore ruse.

Në dhjetor, Lukashenko ka thënë se ato kanë arritur në Bjellorusi.

“I solla kokat bërthamore këtu. Jo disa dhjetëra… ata nuk e kanë vërejtur se si i sollëm këtu”.

Imazhet e reja satelitore prej shkurtit tregojnë se është duke u ndërtuar një bazë dhe një linjë hekurudhore. Në dokumentacionin e siguruar nga Radio Evropa e Lirë përmenden këto katër platforma.

“Ndërtimi i platformave tregon se në ato do të ruhen pajisje për mbrojtje ajrore”, ka thënë analisti bjellorus, Konrad Muzyka me bazë në Poloni, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“E gjithë kjo sinjalizon se ka interesim të madh dhe që Bjellorusia do të bëjë shumë për ta mbrojtur këtë qendër nga sulmet me raketa”.

Për Muzykan, gjithçka është në përputhje me zhurmën e ndërtimeve në kantier.

“Tashmë është fakt që objekti i magazinimit, që mund të ruajë koka bërthamore për raketa Iskander, koka konvencionale dhe më të rëndësishmet kokat bërthamore, është duke u avancuar”, ka thënë Muzyka.

Numri në rritje i provave tregon që Asipoviç dhe baza e municioneve 1405 do të jenë vendi ku do të ruhen këto armë, nëse ato janë dërguar vërtet në Bjellorusi - ose hapësira po përgatitet për mbërritjen e tyre./REL



Read it all at Bota Sot